Basha: Pa testime ecim me sy mbyllur dhe mund të përfundojmë në greminë

Pyetje: Ju keni prezantuar një plan emergjence dhe mesa kam parë, pika juaj e pestë, për hapjen e ekonomisë, është më e rëndësishmja.

Lulzim Basha: Në fakt është pika e parë. Janë testimet. Rritja e testimeve dhe kombinimi i tyre që të na mundësojë përmasat e vërteta të infeksionit.

Pyetje: A i kemi ne kapacitete për të bërë kaq shumë testime sa ju thoni sepse laboratori i QSUT-së mund të bëjë 400 testime në ditë?

Lulzim Basha: Kjo nxjerr zbuluar propagandën, sepse kanë kaluar 5 javë dhe ne nuk kemi kapacitete të mjaftueshme laboratorike dhe mjaftueshëm kite. Kjo është arsyeja, të tjerat janë fjalë kot. E vërteta është se Shqipëria ishte e papërgatitur, qeveria u kap e papërgatitur.

Gënjeu kur tha që ishte e përgatitur. Kishte më shumë se 45 ditë kohë që nga plasja e pandemisë aq më shumë që për fat të keq u angazhua një nga vendet fqinje tona siç është Italia dhe e ka harxhuar gjithë këtë kohë më justifikime, me propagandë dhe me gënjeshtra.

Fakti është se Shqipëria vazhdon të mbetet vendi me kapacitetet më të ulëta testuese dhe për rezultat nuk ka testime. Pa testime ne nuk mund të dimë ku janë të infektuarit, ku janë të prekurit, ku janë kontaktet e tyre që t’i izolojmë dhe të marrim masën e karantinës apo sipas nevojës t’i trajtojmë në spitalet tona. Pra hapi i parë janë testimet dhe kjo nuk është diçka që e ka shpikur

Partia Demokratike apo opozita. Kjo është një kërkesë që përsëritet 10 herë në ditë nga të gjitha autoritetet shëndetësore dhe në fakt kjo është receta që ka përdorur Gjermania dhe vendet e tjera që duket se po fillojnë ta vënë nën kontroll pandeminë. Ndërkohë këtu shqiptarëve u kërkohet të rrinë në shtëpi, por nuk u tregojnë se çfarë plani ka qeveria për t’i nxjerrë nga shtëpia . në vend të kësaj zgjatet gjendja e emergjencës dhe prapë nuk tregohet se çfarë do të bëhet me testimet!

Çfarë do të bëhet për ta gjurmuar, për ta izoluar virusin se vetëm me këto dy hapa pastaj mund të planifikohen hapa të tjerë me risk sa më të vogël për njerëzit dhe për ekonominë. Pa bërë këtë gjithçka tjetër është të vazhdojmë të ecim me sy të mbyllur, por me sy të mbyllur edhe vendi, edhe shëndetësia, edhe shëndeti i njerëzve, edhe ekonomia dhe mund të përfundojmë në greminë.

Pyetje: Megjithatë hapja e një sërë sektorësh sot është ajo që ju kërkuat një ditë më parë. A është një nga pikat e platformës tuaj?

Lulzim Basha: Edhe njëherë, të marrësh hapin e pestë e të thuash që po e bëjmë këtë hap nuk ka gjë më të gabuar, sepse natyrisht pasi hidhesh nga avioni, do të përfundosh në tokë. Çështja është do të hidhesh me parashutë dhe do të përfundosh shëndoshë e mirë apo do të bëhesh copë e thërrime ndërkohë që bie. Dhe strategjia e një hapje pa e ditur dhe pa pasur asnjë plan sesi do të kontrollosh infeksionin është një strategji që mund të rezultojë në probleme shumë të mëdha.

Pyetje: Sot janë nisur 60 infermierë në drejtim të Italisë, keni një opinion sa i përket këtij veprimi, jeni pro apo kundër?

Lulzim Basha: Pa diskutim ne duhet t’i gjendemi pranë Italisë e cila po vazhdon të ketë një situatë kritike, por ka një hipokrizi që nuk i ka shpëtuar as italianë dhe as shqiptarëve. Një vrapim drejt propagandës ku nga njëra anë trumbetohet diçka që në fakt është një detyrim moral para një kombi dhe para një shoqërie që na ka ndihmuar kaq shumë në këto 30 vite siç është Italia.

Dhe nga ana tjetër bashkëatdhetarët tanë i lanë në Kapshticë, në Kakavijë dhe në pikat e tjera kufitare sikur mos të ishin njerëz. Pra është ky standardi i dyfishtë që tjetër gjë bëhet e tjetër gjë thuhet.

Trumbetohet më të madhe diçka që siç e thashë është një detyrim moral dhe është një gjë e mirë që bëjmë gjithçka për ti ardhur në ndihmë italianëve në këto kohë, por nga ana tjetër ka një shpërfillje totale, një arrogancë dhe një qasje, do të thoja në kufijtë e çnjerëzores, me kategori të tërë shqiptarësh të cilët vazhdojnë të vuajnë për shkak të virusit dhe për shkak të masave të marra prej virusit.