Basha: Opozita i dha fund fasadës 1 vit më parë. Dokumentin e BE për zgjedhje të lira nuk e zë dot koronavirusi

Lideri i opozitës, Lulzim Basha, në një intervistë në “ABC e Mëngjesit me gazetarin Enkel Demi u shpreh se, opozita i dha fund fasadës 1 vit më parë.

Basha tha më tej se, dokumentin e BE për zgjedhje të lira nuk e zë dot koronavirusi.

Pyetje: Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme Shqipëria tërhiqet nga disa nene të Kartës Europiane të Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut, privatësia, prona dhe protesta. Deri dje këtë veprim e kanë bërë Shqipëria, Moldavia dhe disa vende të republikave të brishta. Sot të gjithë thonë se po montohet një diktaturë dhe lajmi i keq është se kjo diktaturë po montohet duke patur një opozitë, ju rrezikoni t’ju përdorin si fasadë?

Lulzim Basha: Është një shqetësim i tejkaluar, fasada mori fund në momentin që opozita i dha fund legjitimitetit të një parlamenti që, siç e pamë, doli nga një proces zgjedhor i manipuluar. Ndërkohë, kemi një dokument europian për daljen nga kriza politike dhe kushtetuese ku e zhyti vendin Edi Rama para pandemisë dhe këtë dokument nuk e zë koronavirusi.

Dokumenti është i qartë, reforma zgjedhore, zbatimi i reformës zgjedhore, miratimi i standardeve zgjedhore, zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhjet legjitime vendore janë disa nga pikat kryesore të cilat duhet t’u paraprijnë me dënimin e atyre që kanë vjedhur dhe blerë votat e shqiptarëve. Pra, këtu nuk ka asnjë ndryshim. Fati i mirë i Shqipërisë është që ndodhet në zemër të Europës.

Fati i mirë i Shqipërisë është që, edhe për shkak të betejës opozitare, ne nuk kemi lejuar që opozita të kthehet në fasadë dhe që hap pas hapi ia kemi dalë të tregojmë se Edi Rama është një one man show dhe se nën drejtimin e tij shteti shqiptar është kthyer në një shtet kartoni, i paaftë as në minimumin që do të bënte një shtet tjetër ballkanik, qoftë me krizën e tërmetit, qoftë me krizën e pandemisë.

Në këtë moment, ne si opozitë, po bëjmë gjithçka për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Shqiptarët e kanë kuptuar se taktika e ngopjes me lugë bosh nuk funksionon. Nuk funksionon me veçanti në kohë krize. Kur xhepat janë bosh dhe barku i fëmijëve është bosh, fjalët e Edi Ramës nuk mjaftojnë.