Basha: Nuk e izolojmë dot virusin pa testuar! Refuzoj të bëj politikë me jetën e shqiptarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga studio e emisionit “Opinion” kërkoi përseri për testime masive ndaj Covid-19. Ai renditi edhe njëherë avantazhet e kësaj mase urgjente.

Basha tha se, jemi dy herë mbrapa Maqedonisë së Veriut me testime. Një vend me 2 të tretat e popullsisë sonë ka 2 herë më shumë testime.

Lulzim Basha: Ne duhet të kemi informacion sa më të saktë për gjendjen. Në qoftë se nuk testojmë, në qoftë se nuk njohim gjendjen e vërtetë të infeksionit, në qoftë se testimet tona vazhdojnë të mbeten më të ulëtat ose nga më të ulëtat në Europë, atëherë kuptohet që përmasat e infeksionit që ne dimë janë më të vogla se sa ato realet.

Që do të thotë se ne nuk jemi në gjendje të bëjmë atë që thotë profesor Schtrept që sapo cituat aty, zinxhiri i infeksionit mund të ndërpritet vetëm duke testuar e duke izoluar. Si mund të izolojmë pa testuar?! Në qoftë se ne nuk arrijmë të testojmë dhe të evidentojmë personat që janë bartës apo të infektuar do të zgjatet karantina, do të zgjaten efektet ekonomike, do të shtohet kostoja e jetëve të humbura, personave të shtruar, shëndetësisë e cila do të bjerë në kolaps total.

Pra i gjithë izolimi i qytetarëve, gjithë distancimi social, merr kuptim vetëm në qoftë se kjo kohë përdoret për të testuar sa më shumë, duke nisur me ata më të ekspozuarit, me mjekët, me personat që janë në shërbim, me Policinë e Shtetit, me pjesën tjetër të administratës që është në shërbim.

Pyetje: Pra ju po thoni testim masiv në formën e tapetit, nuk e bën dot asnjë shtet zoti Basha?

Lulzim Basha: Jo nuk po them këtë. Nuk e kam thënë asnjëherë.

Pyetje: Po çfarë?

Lulzim Basha: Po them që Shqipëria nuk mund të ketë më pak testime se sa Maqedonia e Veriut popullsia e të cilës është shumë më e vogël se sa e Shqipërisë dhe po të shikoni shifrat janë shumë dëshpëruese. Në Maqedoni ka 5500 testime, në Shqipëri ka 2571 testime. Ndërkohë që situata në Maqedoni ka filluar të përcipitojë pas Shqipërisë që do të thotë që ne jemi dy herë më mbrapa me testime.

Pyetje: Kryeministri thotë se soecialistë kanë kërkuar kaq testime…

Lulzim Basha: Tentativa për të shndërruar në debat politik asaj të cilës nuk i përgjigjesh dot është diçka të cilën unë e kam refuzuar dhe vazhdoj ta refuzoj sepse bëhet fjalë për jetën e shqiptarëve dhe sa kohë që bëhet fjalë për jetë njerëzish kam refuzuar dhe do të refuzoj të bëj debat apo t’u përgjigjem retorikave politike dhe e keni parë që e kam bërë këtë. Unë prapë nuk lodhem t’i them kryeministrit mos të harxhojë më kohë me debat politik as me retorika e as me sulme. Është fare e qartë: Shqipëria ka numrin më të ulët të testimeve, ndër më të ulëtit në Europë. Sapo ju lexova shifrat e Maqedonisë dhe kjo është e pafalshme.