Basha mbështet Dhomën Amerikane të Tregtisë: I kam kërkuar qeverisë angazhimin e të gjitha resurseve ekonomike

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mbështet deklaratën e Dhomës Amerikane të Tregtisë duke u shprehur se, shqetësimet dhe propozimet e saj janë të drejta.

Basha thotë se, i ka kërkuar qeverisë angazhimin e të gjitha resurseve ekonomike në buxhet për të mbështetur biznesin nga vështirësitë e shkaktuara prej pandemisë.

Reagimi i plotë

Shqetësimet dhe propozimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë janë të drejta. I kam kërkuar qeverisë angazhimin e të gjitha resurseve ekonomike në buxhet për të mbështetur biznesin nga vështirësitë e shkaktuara prej pandemisë.

Qeveria shqiptare duhet të RIALOKOJË fondet e vendosura në buxhet për PPP-të, nga shpenzimet operative si edhe nga investimet publike dhe ti vërë ato në funksion të nevojave shëndetësore dhe ekonomike.

Fondet e shpallura nga qeveria prej 50 milionë euro në total për 3 muaj, për shtresat në nevojë, pagat e biznesit të vogël dhe pagesën e papunësisë, NUK i mbulojnë nevojat e krizës.

Pas shëndetit, ekonomia duhet të jetë prioritet absolut i qeverisë. Shqipëria ka nevojë për masa gjithpërfshirëse dhe jo fjalë. Koha është tani, sepse çdo vonesë do kushtojë shtrenjtë.