‘Armiku’ i padukshëm që po na kërcënon më shumë se koronavirusi

Nga Red VARAKU

Është e vërtetë që në këto kohë të vështira Shqipëria është në një betejë historike ,për jetë a vdekje me një armik të padukshëm.

Një armik i pamëshirshëm, që kërcënon seriozisht jetën e kombit tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, por ai nuk është Covid 19.

Sepse, Covid 19 është vërtet një virus vdekjeprurës, por njerëzimi është përballur shumë herë me viruse të tilla dhe gjithmonë ia ka dalë të mbijetojë.

Ky armik, që po na kërcënon sot, në fakt nuk është i ri. Ai është i lashtë sa vetë njerëzimi. Ai nën maskën e frikës dhe urrejtjes, po ripushton me shpejtësi territoret e pavetëdijes tonë kolektive dhe po ringjall në mënyrë agresive nostalgjinë tonë për ‘murtajën’ morale të kolektivizmit.

Ai po ringjall nostalgjinë për kohën kur individit, nuk i merreshin me dhunë vetëm të drejtat dhe liritë në emër të pjesës tjetër, por edhe pronat dhe pasuria.

Nostalgjinë për kohën ku njeriu duhet t’i nënshtrohej vullnetit të një njeriu tjetër vetëm në emër të së mirës së përbashkët.

Simptomat e tij, që po i hasim gjerësisht këto ditë, të gjithë i njohim mirë. Sepse, kjo murtajë morale është një sëmundje me të cilën luftuam një betejë të përgjakshme për 45 vjet. Një betejë që na kushtoi humbjen e qindra mijërave jetëve, rrënimin e ekonomisë dhe izolimin e shqiptarëve.

Është një virus që është pasojë e një konstrukti të deformuar politik dhe social. Produkt i një ideje imorale, antinjerëzore, siç është komunizmi, skllavëria e njeriut ndaj njeriut.

Duke asgjësuar lirinë individuale dhe duke ia nënshtruar atë vullnetit kolektiv, ky virus synon të shkatërrojë qelizat e shëndetshme të shoqërisë me qëllim eliminimin e imunitetit dhe rezistencës.

Dihet që një shoqëri pa imunitet dhe rezistencë është ëndrra e çdo tirani, sepse një shoqëri e tillë është lehtësisht e qeverisshme dhe manipulueshme.

Lufta kundër këtij virusi bëhet vetëm nëpërmjet kurës tradicionale, që në thelb ka mbrojtjen e lirisë së individit. Pra, mbrojtjen e lirisë së fjalës, mbrojtjen e lirisë së lëvizjes, mbrojtjen e lirisë së besimit, mbrojtjen e lirisë për të ndjekur atë që të bën të lumtur etj.

Në fakt për tu mbrojtur nga murtaja e kuqe e kolektivizmit, kjo është e vetmja kurë. Ajo është e pazëvendësueshme dhe për të duhet të jemi gati të sakrifikojmë çdo gjë, sado e shtrenjtë qoftë për ne, madje dhe jetën tonë.

Ndryshe, nëse vazhdojmë duke dorëzuar liritë tona, të drejtat tona, nën presionin e histerisë kolektive, tek një diktatoruc, pinjoll i murtajës komuniste, atdheu që do t’i lëmë trashëgim brezave të ardhshëm, nuk do të jetë tjetër, vetëm se një burg i madh skllevërish.