Ajo çfarë spikat në këtë periudhë…

Haris VONGLI

Do të ishte hipokrizi dhe e pavend nëse do të pretendonim se mjekët dhe infermierët, madje gjithë stafi spitalor, janë duke bërë thjesht detyrën e tyre, në përballje me kasapanën që ka për tendencë të bëjë virusi më i fundit që i kanoset jo vetëm Shqipërisë por shoqërive në mbarë globin.

Bluzat e bardha, me fisnikërinë, modestinë dhe durimin që i karakterizon fort, janë heronjtë e vijës së parë që ndeshen me COVID-19. Faktet tregojnë se heronjtë tanë jo vetëm që punojnë me profesionalizëm, përkushtim, sakrifica dhe palodhshmëri, por punojnë, mbi të gjitha, në kushte aspak të lehta, siç shumë prej tyre shprehen me zë apo pohojnë në heshtje, pa informacionin e domosdoshëm, mjetet e duhura, shpërblimin e merituar apo edhe sigurinë për jetën e tyre.

Çdo lëvizje e vijës së parë sot, pra bluzave të bardha në krye të detyrës, përbën rrezik jo vetëm për jetët e tyre, por familjet dhe të afërmit. E sidoqoftë ata nuk stepen. Para disa ditësh, nëna ime u shtrua, për një peridhë kohore 10 ditore, pranë Neurologjisë, në QSUT, e bashkë me të, e gjithë jeta ime u zhvendos në dhomat e shtrimit, korridorët dhe zyrat e mjekëve e infermierëve të atij Spitali.

Në kushtet e ndodhura, jeta ime nisi të transformohej në shumë dimensione, ku unë jo vetëm po përballesha me problemin shëndetësor të saj, por po mësoja gjithçka nuk dija më parë, nga shëndetësia, mjeksia, Spitali, sëmundjet specifike të kuruara atje, diagnozat, aparaturtat mjeksore, medikamentet, ushqimi, ngarkesa shpirtërore e psikologjike, etj.

Në këtë rrugëtim shqetësues, por gjithsesi thellësisht të rëndësishëm për botëkuptimin tim, unë nisa të ndryshoj shumë koncepte mbi mjeksinë dhe të ridimensionoj brenda meje vlerat e pakrahasueshme të bluzave të bardha, profesionit të tyre dhe moralit që mbartin për shoqëritë kudo në botë; kjo falë kategorive që njoha gjatë 10 ditëve të mia në Spital, mjekët, infermierët, sanitarët, stafin spitalor në tërësi, dhe pacientët e familjet e tjera të ngjashëm me ne, që ndryshuan jetën time.

Nuk isha emocionuar apo ndierë kurrë më e sigurtë për jetën time dhe të mamasë time përpara se të njihja stafin e Neurologjisë. Më mungojnë, më mungojnë shumë – duke mos patur as mundësinë t’i rishoh, në këto ditë të vështira pandemie për ne, por mbi të gjitha për ata që përballen çdo ditë me pacientë të cilët veç sëmundjeve të lidhura me neurologjinë, mund t’u ndodhë të vihen në kontakt edhe me pacientë të infektuar me “coronavirus”, aq më tepër mjekët dhe infermierët që qarkullojnë në ato pjesë të Spitalit që presin pacientët me COVID-19.

Këta mjekë dhe infermierë janë jo vetëm miq të mitë, por janë heronj, para të cilëve duhet të jemi mirënjohës, të përulur dhe krenarë. Lutem për ta dhe i pyes gjithnjë, a jeni mirë? Unë ndihem e lumtur përtej fjalëve, sa here ata përgjigjen, po. Nëse do të kthehesha pas në kohë, mjeksia do të ishte profesioni që do të zgjidhja dhe nuk do ta zëvendësoja me asnjë tjetër në botë. Ata janë ndryshe, nuk janë si ne.

Kompromiset që ata bëjnë, pra midis jetës si njerëz të thjeshtë dhe fushëbetejës së përditshme me shëndetin tonë, janë teori e praktika që tejkalojnë çdo gjë të shkruar apo imagjinuar. Nëse nuk je në vendin e tyre, është besoj e vështirë ta kuptosh misionin e tyre.

Ata janë mjekë, është profesioni i tyre, por ajo çfarë spikat në këtë periudhë esktremesh shëndetësore, sociale e ekonomike, është fakti se nuk është virusi që vjen tek ata, por janë bluzat e bardha dhe gjithë stafi spitalor që shkojnë tek COVID-19, për t’u kujdesur për pacientët e prekur nga virusi “Corona”, të cilët janë jo vetëm raste për t’u kuruar, por edhe studiuar me vigjilencë, pikërisht për faktin se ky virus është sa kompleks, i ri, i rrezikshëm, aq edhe i panjohur dhe ndryshon, jo vetëm nga pacienti në pacienti, por edhe nga shteti në shtet, e kështu e gjithë bota gjendet përballë një ndër sfidave më të mëdhaja të ekzistencës së saj. Dhe aty, në vijë të parë, janë heronjtë e vërtetë, bluzat e bardha. Ata meritojnë të gjitha trofetë. Me përulësi, Faleminderit.