33 viktima më shumë se dje nga Covid-19 në Itali

Deri më tani raportohet për 981.425 të infektuar, numri total po i afrohet 1 milionshit ndërsa, kanë humbur jetën 50.255 persona dhe janë shëruar 206.272 pacientë.

Listën e shteteve më të prekura nga covid-19 e kryeson SHBA-ja, me 227 mijë të infektuar dhe 5300 viktima, ndërsa Italia numëron 115 mijë të prekur dhe afro 14 mijë viktima.

Edhe Spanja është në gjendje kritike, pasi ka plot 110 mijë të infektuar dhe 10 mijë viktima.

Autoritetet italiane kanë përditësuar të dhënat mbi situatën e koronavirusit gjatë 24 orëve të fundit, ku vihet re sërish një rritje e numrit të viktimave, në krahasim me një ditë më parë.

Ndërsa dje humbën jetën 727 persona, Mbrojtja Civile raportoi se sot u shënuan 760 viktima, ose 33 më shumë se një ditë më parë.

E premtja e javës së kaluar ishte dita më vdekjeprurëse nga koronavirusi në shtetin fqinj, ku u raportua për 969 viktima brenda 24 orësh.

Numri total i viktimave nga Covid-19 në Itali këtë të enjte ka shkuar në 13,915.

Sipas të dhënave zyrtare, numri total i të infektuarve nga koronavirusi, përfshirë edhe ata që janë shëruar dhe viktimat, ka shkuar në 115,242.

Këtë të enjte janë konfirmuar edhe 4668 raste të reja, duke e çuar numrin total të rasteve aktive në 83,049.

Nga shpërthimi i epidemisë e deri më tani, 18,278 pacientë janë shëruar plotësisht nga koronavirusi, ndërkohë që 4053 të tjerë ndodhen në gjendje kritike për jetën, në kujdes intensiv.

Ditën e sotme janë kryer mbi 38 mijë teste për koronavirus, 5 mijë më shumë se dje.