15 raste të reja me Covid-19, shumica në Tiranë. Shkon në 678 numri i të prekurve 

Rritet në 678 numri i personave që janë prekur nga koronavirusi në vend, me 15 raste të reja në 24 orët e fundit, 9 vetëm në Tiranë. Shifra konfirmohet nga Ministria e Shëndetësisë në komunikimin ditor.

Sipas të njëjtave burime, 394 prej të infektuar janë shëruar, ndërsa betejën me këtë sëmundje e kanë humbur 27 vetë. Sipas llogaritjeve, aktualisht 257 persona rezultojnë të infektuar (të prekur aktivë), shifër në rritje në krahasim me dje – 251. Në dy spitalet COVID janë 38 të shtruar, nga të cilët 8 pacientë janë në terapi intensive.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 259 persona të dyshuar me COVID-19. Nga totali i rasteve të dyshuara janë testuar 36 personel shëndetësor, të cilët kanë rezultuar negativë për Sars-Cov2. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 15 raste pozitive me COVID19”, deklaroi Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik.

“Nga totali i rasteve të reja 9 raste janë në Tiranë, të gjitha kontakte të rasteve të mëparshme, 2 raste janë në Mirditë, 1 në Shkodër, 1 në Kukës, 1 në Has dhe 1 në Kurbin.
Deri në këto momente janë testuar 6768 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 678 raste, pra rreth 10% e totalit të rasteve të testuara”, shtoi.

Të shëruarit dhe pacientët në spital

Tomini informoi se gjatë 24 orëve të fundit, 9 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 394 ose 58.1% e totalit të të prekurve.

“Aktualisht në vendin tonë 257 ose 41.9% e totalit të të prekurve janë persona aktivë me COVID19 dhe siç shihet përqindja e të shëruarve është më e lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme”.

Ajo tha se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 30 të shtruar nga të cilët 4 pacientë janë në terapi intensive.

“Në spitalin COVID 2 ‘Shefqet Ndroqi’, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 pacientë janë në pavion. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 38 pacientë”.

Me rastet e reja, harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Mirditë, Shkodër, Kukës, Has dhe Kurbin.

– Tiranë 285 raste
– Durrës 42 raste
– Lushnje 6 raste
– Elbasan 18 raste
– Fier 36 raste
– Kavajë 9 raste
– Rrogozhinë 4 raste
– Korçë 19 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 103 raste
– Lezhë 14 raste
– Berat 2 raste
– Has 14 raste
– Krujë 65 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 5 raste
– Mirditë 5 raste
– Kukës 12 rast
-Mallakastër 1 raste
– Kurbin 29 raste

Sipas Tominit, pavarsisht luhatjesve të të dhënave ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është e kontrolluar. Ajo tha se treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme.

Në kushtet e lehtësimit të disa masave, në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë e kontrolluar, është shumë e rëndësishme të zbatohen me përpikmëri të gjitha udhëzimet e autoriteteve shëndetësore, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale.
Këto masa duhet të respektohen makimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.