Zyrtare, shkon në 10 numri i të prekurve nga koronavirusi, duhet kujdes, jo panik!

Shkon në dhjetë numri i të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri.

Analizat kanë konfirmuar prekjen e katër personave të tjerë.

Mësohet se të prekurit janë kontakte të dy personave të parë, babë e bir nga Tirana, të cilët u konfirmuan pozitivë dy netë më parë.

Të dhënat u bënë publike nga zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rrakacolli.

Vetëm 80 shtretër tek infektivi

Në kushtet kur koronavirusi nuk është më një kërcënim i largët, por një realitet i prekshëm, pyetja që të gjithë shtrojmë është: A kemi kapacitete për të përballuar 10, 100, 1000 apo më shumë raste?

Spitali Infektiv është caktuar si pikë referimi për çdo të infektuar. Por në këto ambiente, me gjithë zhvendosjen e shërbimit të reumatologjisë dhe alergologjisë, janë vetëm 80 shtretër në total dhe 4 të tjerë në reanimacion. Ndërkohë që po sipas ISHP-së janë edhe 109 punonjës shëndetësie, të cilët janë në front të kësaj beteje që sapo ka nisur.

“Spitali Infektiv në QSUT ka marrë masat e duhura për trajtimin e të sëmurëve të prekur nga COVID-19. Në Spitalin Infektiv në QSUT, janë në dispozicion ambiente me një kapacitet 80 shtretërish dhe me një forcë të punonjësve të shëndetësisë, 109 punonjës, të cilët do të jenë të fokusuar për të trajtuar sipas protokolleve më të mira rastet e konfirmuara më COVID19.

Në dhomat e izolimit është investuar në të gjitha linjat e oksigjenit në strukturën e Infektivit, për të bërë të mundur transformimin e këtij spitali, për terapinë intensive, sipas skenarëve të miratuar nga Komiteti i Ekspertëve, përfshi pandeminë”, bëhet me dije nga Instituti i Shëndetit Publik.

INKUBACIONI

Për gjithkënd është shumë e rëndësishme të mos neglizhohen masat për t’u mbrojtur nga virusi COVID-19. Shenjat si temperaturë e lartë, ethet, vështirësi në frymëmarrje, janë treguesit e parë, të cilët orientojnë mjekët për ekzaminime të mëtejshme. Por krahas tyre, rëndësi ka edhe historiku. Mjekët, kur kanë dyshime, i pyesin pacientët nëse kanë udhëtuar përgjatë 2 javëve të fundit ose nëse kanë pasur kontakt me persona që kanë ardhur nga vendet që bëjnë pjesë në hartën e kuqe.

Për çdo rast të dyshuar kryhen edhe testet laboratorike dhe merret anamneza e pacientit përgjatë dy javëve të fundit. Kjo sepse 14 ditë është inkubacioni i sëmundjes dhe siç shpjegohet nga mjekët, nëse i sëmuri infektohet sot, nga 2 deri në 14 ditë ai mund të shfaq simptomat e sëmundjes.

Gjatë kësaj periudhe, pra në momentin që ka dyshime dhe pacienti i nënshtrohet analizave të tjera diagnostikuese, ai izolohet dhe nuk lejohet të ketë kontakt me persona të tjerë. Ndërkohë që gjatë kësaj periudhe, identifikohen edhe personat e afërt që kanë pasur kontakt me të.

MASAT

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka apeluar për respektim të kushteve higjieno-sanitare për mbrojtjen nga koronavirusi. Rregullat për parandalim përfshijnë larjen e duarve shpesh përgjatë ditës, shmangien e kontakteve me personat e prekur nga infeksionet respiratore akute, përdorimin e maskave, shmangien e përdorimit të antibiotikëve dhe çfarë është më e rëndësishme është që kur të vëreni një nga shenjat e mësipërme të mos paraqiteni në urgjencë, por të telefononi në numrin 127.

“Në rastin e kushteve të tilla, pacientët me simptoma të lehta dhe pa mbivendosje me situata të tjera kronike si sëmundje mushkërish apo zemre, problem me veshkat apo me të dhëna kompromentuese të sistemit imunitar, që e vendosin atë në një rrezik të shtuar për të zhvilluar komplikacione, mund të trajtohet në ambientin e shtëpisë”, apelon ISHP.