Uria, më e madhe se frika! Nëse nuk vepron Qeveria…

Teksa komentoi aktin normativ të qeverisë për COVID-19 në Ditarin e orës 09:00 në A2, avokati Adriatik Lapaj u shpreh se ai duhet të shoqërohet nga një tjetër akt me masa sociale-ekonomike.

Lapaj thekson se një pjesë e madhe e familjeve e kanë të pamundur të mbijetojnë, duke qëndruar të izoluar, pasi nuk kanë mundësi ekonomike.

“Masat duhet të jenë të dyanshme, në të kundërt njerëzit do ta thyejnë karantinën. Jam i bindur që nevojitet një akt i dytë, i cili duhet të parashikojë masat sociale ekonomike, për faturat e ujit, të dritave, rimbursimin e qirave.

Nëse nuk e bëjnë një akt të dytë, karantina do të thyhet. Uria është më e madhe se frika ndaj një virusi që është hipotetik. Ka familje që punojnë sot për nesër dhe nuk kanë mundësi ekonomike të mbijetojnë të izoluar”, është shprehur avokati në A2.