Sportistja rekordmene surprizon mjekët në Kamëz me ëmbëlsira: Jeni kampionët tanë!

Ora 7 e mëngjesit e ka gjetur atleten rekordmene Klodiana Shala pranë Qendrës Shëndetësore në Kamëz. Me petulla dhe kek të ngrohtë, ajo ka pritur mjekët për t’i falenderuar dhe shprehur mirënjohjen për përkushtimin e tyre në këto ditë të veshtira. Momentet emocionuese për mjekët dhe stafin i ka publikuar në llogarinë e saj në ‘Facebook’ mjekja e qendrës Elisabeta Musta.

Në foto, për aq sa ia lejon maska si mjet mbrojtës, edhe Klodiana duket e emocionuar. “Unë e di që ju nuk po shihni fëmijët, familjet tuaja, por të gjithë shqiptarët kanë sytë dhe shpirtin tek ju. Ju bluzat e bardha, jeni krenaria jonë jeni kampionët tanë! Siguria, shendeti i qytetarëve është medalja më e lartë, që ju merrni si shpërblim për misionin tuaj”, ishin fjalët falenderuese të Klodi Shalës për mjekët dhe stafin e Qendrës Shëndetësore në Kamëz.

Ndryshe nga personazhet e tjerë publikë që shfaqin në instagram, receta gatimi për të shtyrë kohën e karantinës në shtëpi, Klodi ka përfituar nga lëvizja e automjeteve deri në orën 08:00 dhe ka çuar vetë petullat dhe kekun e ngrohtë tek përsoneli shëndetësor.