Sot në ditët e tmerrit epidemik, unë bija jote jam krenare për ty më shumë se përherë…

Nga Merita Beliu Bakiu

Sot në ditët e tmerrit epidemik, unë bija jote më shumë se përherë jam krenare për ty doktoreshë Hajrie Maçi (Beliu).

Të dashur miqtë e mi, nuk kam ndarë me ju asnjëherë emocione të këtij lloji.

Në atë kohë ishte një mjeke e re, që punonte pranë Poliklinikës 5.

Trajtonte me seriozitetin maksimal çdo pacient dhe mbase ky ishte çelësi i suksesit më të madh i gjithë karrierës së saj; parandalimi i një epidemie.

Evidentoi tre raste të ngjashme, brenda të njëjtit pallat. I izoloi, iu drejtua seksionit të shëndetësisë me ndrojtjen se mos po gabonte.

“Mendoj qe kemi epidemi të fruthit”, u thashë (tregonte)

Një e qeshur e kish bërë atë të ishte edhe më e frikësuar, për atë që duhet tashmë të vërtetonte.

”Meqënëse ngulmon, ne po vijmë t’i shohim rastet doktoresha”, i kish thënë shefi i seksionit

“I çova te më i lehti dhe ata buzëqeshën të lehtësuar, te i dyti u bënë me seriozë dhe te i treti, qe ishte tashmë në fazën me rebele ata bërtitën: Fruth!

Unë thjesht e kapa.

E kisha hasur në teori, mbaja mend klinikën pasi prej disa brezash popullata nuk e kishte kaluar atë.

Të gjithë këta breza do të infektoheshin”, shprehej doktoresha ime, e shtrenjta ime, nëna ime!

Fruthin e kishte sjelle po nga Kina një grup gjimnastësh.

Por Kina edhe na shpëtoi.

Për 24 orë erdhën prej andej vaksinat dhe filloi vaksinimi masiv.

Kam parë vazhdimisht në rrugë, një burrë tashmë me disa quka në fytyrë, që është njëri prej pacientëve, që e kaluan rënde dhe ma kish treguar mami, pasi ai banon te pallatet pranë rrugës Myslym Shyri e ne e kishim dhe e kemi komshi.

Më thoni, a nuk duhet që unë dhe im vëlla, Edi të jemi krenarë, për nënën tonë doktoreshën, shpëtuesen e jetëve nga epidemia?!

Të dua nëna ime edhe më shumë sot, në ditët e epidemisë e frikës së njerëzimit!