Situata në Spitalin e Infektivit, vështirësi për të gjetur maska…

Një perimetër sigurie është ngritur tashmë përpara spitalit Infektiv në QSUT, i cili është kthyer në karantinën e parë të Covid 19 në Shqipëri.

14 persona janë të prekur nga Covid 19 dhe një e moshuar ka humbur jetën.

Gazetari Maksi Rama tha për “ABC News” se 14 personat janë karantinuar në Spitalin Infektiv, ndërsa 10 personat e tjerë që kanë lidhje me rastin e parë janë vetëkarantinuar në shtëpi.

“Një numër i madh qytetarësh vazhdojnë të jenë pa maska edhe për shkak se kanë hasur vështirësi për të gjetur maska në farmaci.

Ndërsa sa i përket lëvizjes në qytet natën e kaluar shihet se situata ka qenë qetë, edhe gjatë ditës së sotme gjendja paraqitet e qetë dhe ende nuk ka një përditësim të shifrave.

Ndërsa sa i përket të afërmeve të pacientëve që këmbëngulin të vizitojnë të afërmit, ai theksoi se ka një qendër konsultash e cila jep informacion se si duhet të vazhdojnë procesi.

Por nga ana tjetër ka shumë qytetarë që kanë shprehur ankesa se po i vonohen rezultatet për të marrë përgjigjet e analizave që ata kanë kryer.

Ndërkohë shihet se qytetarët nuk respektojnë distancën nga njëri-tjetri. Gjatë kohës që presin në radhë qëndrojnë shumë afër, ndërsa numri i qytetarëve që paraqitet në spital është i lartë. Rreth orës 10 e 30 policia u alarmua sepse dy persona të pautorizuar u futën në ambientet e karantinës, por pas verifikimeve rezultoi se ishin pjesë e stafit”, raporton gazetari. /abcnews.al