Shqipëria rrezikon të mbetet pa mallra nga jashtë, shoqëritë e transportit peticion Ramës, ja çfarë i kërkojnë

Kompanitë e Transportit të Mallrave në vendin tonë i kanë nisur një peticion kryeministrit Edi Rama, në të cilën i kërkojnë lehtësimin e procedurave të transportit të mallrave, në një kohë kur e gjithë bota është duke u përballur me pandeminë e shkaktuar nga COVID19.

Shoqatat e transportit shprehen se në momentin kur kamionët mbërrijnë në kufirin e Shqipërisë, shoferëve iu kërkohet që të futen në karantinë për 14 ditë, çka do të pengonte punën normale të këtyre kompanive, pasi është e pamundur zëvendësimi i tyre.

Në peticionin e shoqërive të transportit theksohet dhe sakrifica që po bëjnë shoferët e kamionëve të mallrave, në mënyrë që qytetarët por edhe bizneset e shumta në vendin tonë të mos mbeten pa mallra që vijnë nga jashtë në Shqipëri.

Po ashtu një tjetër kërkesë e tyre është që në portin e Durrësit të ankorohet një anije e siguruar nga vetë ata, e cila do të bëjë të mundur transportin e kamionëve nga Italia për në Shqipëri, pa qenë e nevojshme që të kenë një shofer në drejtimin e tyre, çka do të lehtësonte ndjeshëm punën.

Dy kërkesat e shtruara nga shoqëritë e transportit të mallrave:

1-Mos karamntimi i shoferëve për 14 ditë nga momenti i hyrjes në Shqipëri dhe lejimi i qarkullimit të tyre me mjetet e kompanive të transportit.

2-Lejimin e ankorimit të anijes TENERIFE CAR që është në dispozicion, në mënyrë që të ketë një lëvizje të shpejtë, dhe të sigurtë, sidomos për shoferët.

Shoqëritë e transportit shprehen se në rast se kërkesat e tyre nuk merren parasysh, shumë shpejt mund të ketë mungesa të mallrave në treg, për të cilën ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi.