Shpërthen revolta ndaj Vodafone pas zërit të Ramës në telefonata!

Kushdo që do të donte ditën e djeshme që të telefonte një familjar, të afërm, mik, do të duhej të përballej me zërin e kryeministrit Rama, që iu kërkon të lajnë duart, dhe të qendrojnë në shtëpitë e tyre.

Padyshim që higjena është një nga çështjet më të diskutuara të ditëve të fundit, si një masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, por nuk ka një mendje të shëndoshë në vend, që këtë do ta merrte seriozisht vetëm pasi dëgjonte zërin e kryeministrit nëpër celulare.

Në çdo vend normal të botës, kryeministri, i cili merr votat e qytetarëve për të qeverisur, do të dilte në ekran, dhe do të njoftonte çdokënd për masat e marra, për buxhetet, dhe për kapacitetet që sistemet shëndetësore kanë për përballimin e këtij virusi që tashmë është kthyer në një pandemi globale.

Ky i yni në fakt, edhe dje i ftuar në emisionin Opinion nuk preferoi që të japë asnjë shifër buxheti, duke thënë se kjo është një luftë, dhe nuk mund të flitet për para, por ata që janë përballë me pacientët e sëmurë, disa ditë më parë u rrezikuan seriozisht, kur për afera korruptive, iu shpërndanë maska që ishin të skaduara që prej vitit 2011.

Por për t’u rikthyer te ndërhyrja e pa kërkuar e Ramës në telefonatat e qytetarëve, dhe shërbimin që i kreu kompania Vodafone, veçanërisht kryeministrit, Fax News është ineterssuar edhe pranë AKEP.

Ky i fundit është shprehur se nuk mund të ndërhyjë në këtë çështje dhe kjo i takon menaxhimit të vetë kompanive, të cilat vendosin nëse duan apo jo të përcjellin këtë mesazh të kreut të qeverisë.

Pra në asnjë moment nuk merret parasysh konsumatori, i cili iu paguan vazhdimisht këtyre kompanive paketa, nga më të shtrenjtat, krahasuar jo vetëm me vendet e rajonit, por edhe me Europën, ku paga minimale, është disafish më shumë se ajo e shqiptarëve.

Në gjithë këto ditë, qeveria shqiptare ka bërë atë që di më mirë, qeverisje dixhitale me deklarata dhe me video, ndërkohë që nuk jep asnjë shifër sesa është numri i shtretërve që mund të përballojnë rastet me pasoja më të rënda nga COVID-19, në spitalet e vendit tonë.

Lidhur me ndërhyrjen e Ramës në telefonatat, e bëra nga numrat Vodafone, reagimet në rrjet kanë qenë të shumta, mes tyre dhe ai i gazetarit Denis Dyrnjaja, i cili e konsideron një gafë të rëndë atë që ka bërë vetë kompania.

” Mesazhi i imponuar i Kryeministrit përmes Vodafone gjatë telefonatave tona personale brenda rrjetit ishte një vendim totalisht i gabuar i kompanisë. Sikur edhe një person të jetë ai që se dëshiron këtë mesazh, kompania nuk mund ta detyrojë ta dëgjojë ndërkohë që tjetri e përdor dhe paguan shërbimin jo për fantazitë e kryeministrit që subjektivisht mund t’i ketë të këndshme por edhe totalisht të pakëndshme, për të mos thënë të padëshirueshme.

Shumëkush mund ta interpretojë si dashamirës, sensibilizues dhe gjetje mesazhin e paidentifikuar të Ramës që vinte në një mënyrë te bëftë pas thirrjes telefonike që adresoje ndaj personit të interesuar. Ishte bezdisëse dhe për më tepër penguese sepse pas mesazhit imponues nuk vazhdonte më telefonata për të kryer punë.

Kjo është akoma më e rëndë pasi pengohesh ose penalizohesh pa dëshirën tënde nga një vendim i njëanshëm i Vodafone. Nuk di nëse kjo ka qenë zgjedhje e vetë kompanisë apo urdhëresë e qeverisë. Në të dy rastet ishte dhunim që të krijonte nervozitet. Jo çdo gjë që i duket bukur apo gjetje udhëheqësit është e tillë edhe për ne. Boll me kinezeri leifeniste”, shkruan Dyrnjaja në reagimin e tij në rrjetet sociale.

Nuk ka munguar një reagim për këtë çështje dhe nga ish-deputeti Luan Rama, i cili shprehet se kompania Vodafone ka shkelur në mënyrë flagrante kontratën me klientët e saj.

Postimi i plotë i Luan Ramës

Vodafone: largoma Edin nga telefoni!

Nuk e kemi zakon me u përqafë burrë me burrë!

Në shkelje flagrante të kontratës dhe duke mos respektuar asnjë normë etike të komunikimit, në mënyrë arbitrare dhe tërësisht të paedukatë, përmes një frekuence zanore bezdisëse deri në fyerje, kompania vodafone, klient i së cilës jam që prej afro 25 vitesh, ka ndërhyrë e vazhdon të ndërhyjë pa pëlqimin, përkatësisht edhe pa autorizin tim, në pothuaj të gjitha komunikimet e mia private telefonike!

Ndërsa unë formoj numrin e telefonit të personit me të cilin dua të komunikoj, në pritja të përgjigjes së personit të thirrur, krejt papritur dëgjoj:

“- Edi jam; të lutem laji duart shpesh, mos leviz nga shtëpia për qef, hap dritaret sa të mundesh, ruaju nga mediat, mos ki frikë po bëj shumë kujdes.
Për çdo shenjë merr 127-ën!
T’përqaf nga larg!”

Pa dashur të merrem me përmbajtjen dhe as me zërin e mesazhit të cituar fjalë për fjalë siç dëgjohet në telefon, i kërkoj publikisht kompanisë vodafon largimin e menjëhershëm të Edit megjithë zërin e tij nga të gjitha komunikimet e mia telefonike!

Faleminderit, por nuk dua të më përqafë as nga larg dhe as nga afër! Aq më tepër që nga anët tona nuk e kemi zakon me u përfqafë burrë me burrë! /FaxWeb

Audio e Ramës

ccc