Shënohet viktima e parë nga koronavirusi

Është shënuar viktima e parë nga koronavirusi në vendin tonë. Bëhet me dije se ajo është e moshuara që rezultoi rasti i parë i infektuar në qytetin bregdetar të Durrësit, konfirmuar paraditen e djeshme.

Ministria e Shëndetësisë njofton se pacientja 73 vjeçare e konfirmuar me COVID-19 ka ndërruar jetë pak minuta më parë nga komplikacionet e rënda, si pasojë e disa sëmundjeve bashkëshoqëruese kardiake dhe pulmonare.

73-vjecarja vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese: Insuficience kardiake kronike, SPOK, Nyha III, Fibrilation atrial, hypertyreisis, tatus post by pass.

Kujtojmë se e moshuara që ka rezultuar pozitive me COVID-19 ka pasur një historik udhëtimi me Italinë, dhe vuante dhe nga sëmundje shoqëruese.

Si pasojë e qendrimit të saj prej 5 ditësh në spitalin e Durrësit, ku dhe është kuruar për pneumoni, dyshohet se të ketë të tjerë persona të infektuar me koronavirus, ndërsa disa prej mjekëve të spitalit u është kërkuar që të vetëizolohen për disa ditë.