Rreziku nga koronavirusi/ Mjeku i njohur thirrje Ramës: Qeveria të ndryshojë strategjinë…

Mjeku i njohur dhe ish-deputeti i PD, Tritan Shehu i ka bërë thirrje qeverisë të ndryshojë strategjinë që po përdor me mjekët e familjes në veçanti, për të trajtuar qytetarët e shqetësuar nga rreziku i infektimit, me qëllim që shërbimi të jetë efikas para se të jetë shumë vonë.

Shehu është nisur nga një rast konkret që e ka konstatuar vetë dhe ku ka parë se strategjia e deritanishme e qeverisë nuk kishte asnjë efekt.

“Dje u ndodha përballë ankesave shëndetësore të një zonje, shkruan Shehu në Facebook, ankesa që më bënë të dyshoja për një infektim të mundshëm me atë virus dhe nga fakti se zonja në fjalë deri para disa ditësh, për arsye të punës së saj, kishte pasur kontakte të afërta me shumë italianë.

Ajo punonjëse kishte telefonuar një ditë më parë tek 127, i kishte shpjeguar gjendjen, por përgjigja kishte qënë se ata nuk mund ta asistonin për shkak të listës shumë të gjatë të kërkesave që kishin e sepse ajo nuk mund të vërtetonte nëse ndonjë nga italianët ishte i kontaminuar!!!

Për çudinë time nuk iu dha as edhe ndonjë këshillë për të kontaktuar mjekun e familjes, jo të mendohej që vet 127 ta bënte këtë lidhje të domosdoshme!

Në këto kushte unë vetë si mjek i telefonova drejtuesve të lartë të atij sektori, i shpreha dyshimet e mia, që shpresoj të mos konfirmohen.

Në fakt ajo u kontaktua nga 127 mbas kësaj, por përgjigja ishte e njëjtë: “Mjekohu në mënyrë simptomatike në shtëpi, se nuk kemi mundësi të dërgojmë specialist!” Përsëri asnjë lidhje me mjekun e familjes.

Tashme si kjo zonjë ka me mijëra qytetarë, do të ketë shumë më tepër në ditët që vijnë, ndërsa sistemi i konceptuar në mënyrë paradoksale po futet në kolaps edhe sepse ka lënë jashtë loje, mjekun e familjes dhe kujdesin parësor.

Imagjinoni kur ky sistem nuk asiston apo koordinon dot edhe në qendër të Tiranës, ku banon ajo zonjë, se si mund t’i asistojë kështu pacientët 127-ta në qendrat e largëta, në Vermosh a Cepo, në Dumre…

Ndryshoni “strategjinë”, vendosni mjekun e familjes në rolin e tij, jemi shumë vonë e të papërgatitur, jo për “panik” kjo, por për të evituar më të keqen”.