Rasti kur Lulzim Basha udhëheq Edi Ramën

Nga Red VARAKU

Projekti ekonomik i Lulzim Bashës për daljen nga kjo situatë, e ka bërë shumë nervoz Edi Ramën, i cili shpërtheu, me një arsenal shpifjesh të qëllimshme, me një politikë të njohur të denigrimit personal të kundërshtarit dhe me një fjalor të neveritshëm.

Në fakt, nuk ka faj, sepse qëndrimi i matur i kryetarit të opozitës është një qëndrim që ia zhvesh në mënyrë të pamëshirshme rrobat e kllounit kryeministër dhe e nxjerr lakuriq papërgjegjshmërinë e kësaj qeverie.

Jo rastësisht, ky qëndrim po provokon një tërbim politik, jo vetëm tek kryeministri, por tek e gjithë banda rrotull tij, të cilët janë kthyer në një burim të papërgjegjshëm helmi dhe thashethemesh.

Projekti i Lulzim Bashës për të dalë nga kriza, e detyroi kryemiun të dilte nga vrima ku ishte futur, të lahej, të shkojë në zyrë dhe të fillojë të sillet si zyrtar.

Falë Lulzim Bashës, nuk shikojmë më postimet e tij haluçinante, ku të gjithëve i drejtohej me një panik të lumtur, me skërmitje dhëmbësh dhe kërcënime, por shikojmë një Ramë që flet pa arrogancë, duke iu drejtuar shqiptarëve me lutje si ‘vëllezër dhe motra’.

Në fakt qëndrimi i Bashës është qëndrimi që do të merrte çdo kryetar i përgjegjshëm opozite, që nuk ka qëllim luftën për pushtet.

Që në fillim ai ka mbështetur vendimet drastike të qeverisë dhe sugjeruar mënyra për menaxhimin e situatës. Gjithashtu, ai ka prezantuar edhe një projekt të qartë ekonomik për daljen nga kjo krizë. Një projekt i thjeshtë dhe lehtësisht i realizueshëm.
Opozita kaq mund të bëjë. Ajo këto mjete ka në dorë. Ajo nuk ka as përgjegjësi shtetërore dhe as mundësi financiare për të realizuar projektin e saj.

E vërteta është që edhe pse qeveria e sulmon në mënyrë vulgare projektin e opozitës, ajo po ‘vjedh’ dhe implementon çdo ditë pjesë të projektit të saj. Për këtë nuk ka pse ta ulë kokën , përkundrazi duhet ta mbajë lart, sepse kjo nuk është një betejë për dekorata , por është një betejë për jetën.

Në këtë kuptim Lulzim Basha po e udhëheq defacto qeverinë. Ai po denoncon sistematikisht transparencën e munguar, papërgjegjshmërinë gjatë procesit, apo dhe qasjen e gabuar të qeverisë në lidhje me administrimin e buxhetit, sepse dihet që një qasje e gabuar mund të prodhojë një ‘virus’ edhe më vdekjeprurës social.

Sigurisht, që bilanci i punës së kryeministrit ndaj fatkeqësisë, bëhet më pas, por deri tani qasja e tij ‘si shpëtimtar’ është shumë e gabuar. Ndërsa , kēmbëngulja për të bërë betejë politike kundër opozitës në një kohë që rrezikohet jeta e qytetarëve, është një vendim i dëshpëruar.

Duke jetuar i izoluar dhe larg realitetit, i rrethuar nga servilë, në mënyrë krejt naive ai po tenton ta konsiderojë këtë luftë, si luftën e tij.

E vërteta është që kjo nuk është luftë e tij, por është detyrë e tij. Nëse ia del, ai thjesht ka bërë detyrën për të cilën të gjithë ne paguajmë, ama nëse humbet, kjo nuk ka të bëjë më me të dhe narcizizmin e tij, por ka të bëjë me të gjithë ne. Sepse, do të jetë humbja jonë, dhe fitorja e askujt.