Qytetarët në stacionet e urbanëve: S’kemi frikë të udhëtojmë në autobus, koronavirusi është vetë Rama

Në një kohë kur qeveria shpalli marrjen e masave shtesë për shkak të 6 rasteve me koronavirus që janë konfirmuar derimë tani në vendin tonë, një nga çështjet më shqetësuese është dhe udhëtimi në mjetet e transportit urban.

Pavarësisht se janë të njohur me rrezikshmërinë që paraqet kjo, qytetarët shprehen se janë të detyruar që të lëvizin me urbanë, pasi janë shumë larg nga vendbanimi me atë të punës.

Gazetarja e Fax News Fjona Çela, ka qenë paraditen e sotme në disa stacione urbanësh në kryeqytet, ku një pjesë e qytetarëve shprehen se nuk kanë frikë dhe nuk ndihen të frikësuar, pavarësisht se e pranojnë se kushtet e transportit janë skandaloze.

Ndërkohë disa prej tyre thonë se nuk kanë mundësi financiare që të blejnë maska, çmimet e të cilave janë rritur në ditët e fundit.

“Jo s’kemi frikë hiç, jemi malsor ne, nuk frikna, na jemi rrit me ushqime bio, dhe ne nuk frikna hiç”, tregon një e moshuar.

“Vijmë nga Skrapari, që atje vetëm derrat jetojnë, po mbaroi tërë Tirana, atëherë dhe ne atje do në zëjë, unë kalimtar jam këtu, sot iki për në Skrapar”, tregon një tjetër qytetar.

“Na ka zënë ngaherë ne sëmundja, ka për t’i shëndosh Zoti ata, ja një gjysmë ore që pres. Nuk ka kushte autobusi, hiç asnjë kusht, nuk është i lamë, nuk e kanë fajin punonjësit, t’i ndërrojnë autobusat se nuk jena bagëti na”, shprehet një tjetër zonjë.

“Nuk kam frikë fare për në autobus, maska do lekë, do thuash ti pak lekë, po ne jemi ku thërret qameti. Jemi pa punë, vetëm në një muaj harxhoj 300 mijë lekë ilaçe, kemp nuk më japim, më mirë të më marrë koronavirusi, sesa të jetoj këtu. Nuk shoh dritë jeshile, kushtet në autobuse si në kohën e ku thërret qametit, hajdutët të fusin duart në xhep, i rjepin njerëzit”, është apeli i një tjetër qytetari.

“Koronavirusi është Edi Rama, nuk kam frikë që të udhëtoj në autobus, se koronavirusi është vetë kryeministri, kaq di me thënë, kaq them”, ishte revolta e një tjetër qytetari.