Qeveria ka kaluar në vdekje klinike

Nga Red VARAKU

Situata të tilla surreale, mbushur me frikë dhe pasiguri për të ardhmen, si kjo që po përjetojmë këto ditë, nxjerrin në pah si asgjë tjetër forcën ose dobësitë e një kryeministri.

Kjo sepse, për shkak të frikës, pasigurisë dhe mungesës së shpresës , ata i drejtojnë sytë dhe veshët vetëm tek kryeministri, jo vetëm për të dëgjuar të vërtetën, por dhe për inkurajim, për ndihmë dhe veçanërisht për zgjidhje.

Sigurisht, që kjo mund të ishte dhe një mundësi e artë për Edi Ramën për të riparuar imazhin e tij të rrënuar. I gjithë populli i ka sytë tek ai dhe pret që ai të ngrihet në lartësinë e detyrës dhe të marrë në dorë situatën.

Por, askush nuk mund ta mendonte që edhe në një situatë të tillë ku rrezikohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve, ai do të vazhdonte me të njëjtën papërgjegjshmëri dhe të shikonte vetëm hallin e tij.

Askush nuk mund ta mendonte, që ndërkohë që e gjithë bota po përjetonte tragjedinë më të madhe pas luftës së dytë botërore, kryeministri ynë në vend që të ishte në krye të detyrës do të strukej në shtëpinë e tij.

Askujt nuk ia merrte mendja që në vend që të merrte masa konkrete, do të angazhohej personalisht në përhapjen e panikut, madje edhe nëpërmjet fake news.

Qëndrimet dhe masat e tij në vend që të qetësojnë frikën dhe panikun si dhe të sigurojnë qytetarët, në fakt kanë bërë të kundërtën, i kanë alarmuar më shumë qytetarët.

Në fakt, në çdo dalje të tij me panikun që po shpërndan, ai si kryeministër po dëshmon një papërgjegjshmëri ekstreme. Maksimizimi i panikut ka sjellë vetëm konfuzion dhe paqartësi, që në situata të tilla nuk janë vetëm joproduktive, por janë të rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Ai akoma nuk po e kupton dëmin që po bën me vonesën e zgjidhjeve, sepse ujërat e panikut që vetë po i nxit, mund ta përmbysin varkën tonë tashmë të lodhur nga furtunat dhe të shkaktojnë humbje dhe shumë viktima.

E gjithë sjellja e tij deri tani, nuk po tregon vetëm sa e papregatitur është administrata e tij për të menaxhuar një krizë të këtyre përmasave, por po tregon sa i papërshtatshëm është ai për ta përballuar.

Të gjithë e kanë të qartë që sjellja anemike e qeverisë për të parandaluar përhapjen shkaktoi këtë situatë kaotike.

Mungesa e tamponëve dhe shtretërve tregoi papërgjegjshmërinë e tij në raport me shëndetin e qytetarëve, ndërkohë që opozita kishte kohë që paralajmëronte rrezikun që po vinte nga Kina.

Ndërsa, vendimi për të mos prekur paratë e oligarkëve, duke ia vendosur këtë barrë qytetarëve, vetëm ka rritur panikun dhe do të sjellë pasoja të parikuperueshme tek qytetarët, sepse rrit borxhin që secili nga ne duhet të paguajë.

Ajo që e bën të rëndë peshën e përgjegjësisë së qeverisë është se për këtë dështim nuk mund t’ia faturojë askujt përveç vetes. Sepse, ajo sot i ka të gjitha pushtetet, ndaj e gjithë përgjegjësia bie vetëm mbi të.

Ndërsa, Opozita jo vetëm që po mban një qëndrim korrekt dhe qytetar, por nëpërmjet konstatimeve të saj konstruktive, e ka detyruar shpesh qeverinë të pranojë idetë e saj.

Ndaj, përpjekjet e kryeministrit për t’i rezistuar të vërtetës së pamëshirshme që zbuloi ky virus, jo vetëm kanë dështuar, por kanë ndihmuar që shqiptarët ta shohin qartë që qeveria e Ramës është në vdekje klinike dhe kolapsi i saj final është çështje ditësh.