Punëtorët e fasonerisë në protestë: Jemi të rrezikuar nga koronavirusi! Policia bën presion të vazhdojnë punën

Vazhdon protesta e punëtorëve fasonë të kompanisë “Alba Shoes” pranë autostradës Tiranë-Durrës, të cilët nuk pranojnë që të hyjnë brenda ambienteve të fabrikës, pasi sipas tyre pronarët italianë janë të infektuar me koronavirus. Pavarësisht se nuk lejohen protestat dhe tubimet, punonjësit shprehen se nuk lëvizin nga rruga pa marrë të drejtën e tyre, pasi sipas tyre nuk janë marrë asnjë masë nga ana e kompanisë, që ata të kenë garanci për të vijuar punën.

Ndërkohë, policia ka hyrë në oborrin e fasonerisë dhe po ushtron presion ndaj punonjësve që të kthehen në punë. Nuk eshte ky funksioni i policisë dhe ky është një tjetër krim. Përse nuk ndërhyn qeveria në këtë rast kur kemi të bëjmë me një rrezik të madh?

Brenda ambienteve të fabrikës sot janë futur disa punonjës, të cilët duket se i janë nënshtruar presionit të bërë nga ana e drejtuesve të kompanisë, raporton Fax News.

“Në fabrikë të gjithë pronarët janë të infektuar, përgjegjësit na thonë që të ikim në shtëpi, pa marrë lekët. As maska dhe as doreza mbrojtëse nuk na kanë dhënë. Nuk plotësohet asnjë kusht për distancën, ka disa punonjës që i kanë marrë me detyrim.

Kemi frikë se do të na pushojnë, po jeta jonë është mbi të gjitha. Policinë e njoftuam ne, erdhën dhe kërkojnë vetëm që të lirojmë rrugën, nuk do hyjmë brenda fare, nuk do rrezikojmë jetën e fëmijëve tanë. Çdo fundjavë italianët kanë hyrë dhe kanë dalë lirisht këtu, unë mora dorashka nga shtëpia dhe italiani më tha që t’i hiqja se sipas tyre nuk kishte rrezik. Kjo nuk është lojë, italiani kaloi këtu dhe nuk na dha asnjë zgjidhje”.

“Nuk është se nuk duam të punojmë, dje u ka rënë dy punëtorëve të fikët dhe ne normal që kemi frikë. Ne kemi kërkuar që pushimet e gushtit të na i zëvendësojnë tani”, shprehen disa prej punonjësve që më pas thërresin në kor, ”duam të drejtat tona”.

Në ambientet e brendshme të fabrikës kanë hyrë disa punonjës të policisë, por nuk dihet ende nëse do të bëhet bllokimi i punës në këtë kompani. Disa prej punonjësve thonë se e kërkojnë zgjidhjen nga ana e shtetit, dhe se në fabrikë nuk ka as maska dhe as dizinfektantë.

Protesta e punonjësve nisi që prej ditës së djeshme, ndërsa eprorët kanë dashur ta mbajnë të fshehtë incidentin, pasi kanë kërkuar që punonjësit të vijojnë punën pavarësisht se rrezikojnë të marrin ndonjë infeksion, ndërsa në fasoneri mbërritën edhe disa efektivë policie.

Ndërkohë që mëngjesin e sotëm ka pasur protesta dhe në një fabrikë pranë ish-uzinën e metalurgjikut në Tiranë, ku punonjësit po ashtu nuk duan që të nisin punën.

Biznesi fason dhe callcenter-at, janë bizneset që kanë problematikën më të madhe në këto ditët e para të mbërritjes së koronavirusit, pasi përqendrimi i njerëzve është shumë i madh dhe distanca mes tyre nuk respektohet.

4 4

1 17

3 6