Policia bën namin me gjobat, e pësojnë 190 këmbësorë dhe 98 drejtues mjetesh

190 qytetarë të cilët kanë lëvizur jashtë orarit të lejuar, janë gjobitur nga policia.

Qytetarët e gjobitur janë kapur me biçikleta ose në këmbë duke shëtitur dhe nuk kanë dhënë një shkak pse kishin dalë nga banesat.

Po ashtu janë evidentuar 98 drejtues mjetesh, të cilëve iu është hequr patenta, ndërsa një prej tyre është arrestuar për shkak se drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Njoftimi

Në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19, strukturat e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin.

Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 98 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″, si dhe është arrestuar në Kavajë shtetasi K. A., 27 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Gjatë 24 orëve të fundit, nuk zbatuan urdhrin e dhënë për qëndrimin në banesë në oraret kufizuese, 190 shtetas, të cilët qarkullonin me biçikleta apo në këmbë, në oraret e ndaluara, pa ndonjë shkak apo arsye dhe për këtë u ndëshkuan me masën administrative 10.000 lekë, ndërsa 2 prej tyre, në Shkodër, janë proceduar në gjendje të lirë, për kundërshtim të punonjësit të Policisë.

Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet dhe monitorimet pa ndërprerë, me qëllim zbatimin e masave në funksion të parandalimit të COVID-19.