Non plus ultra – Asnjë hap më tej!

Nga Albert AVDULI

Z. Kryeministër!

Ju drejtohem, si qytetar, i cili ende beson, se kryetari i qeverisë shqiptare, nuk është gallataxhi në gjithë ditët e vitit.

Lutem, Zotni, shpëtoni socialistët. Oh, me sa ndrojë shkruaj këto rreshta, por tjetër formë nuk po gjejë.

Po ne jemi prej një gjaku mor efendi. Të djathtë e të majtë, kemi të njëjtat halle e të njëjtën jetë. Ju e banalizuat deri në skaj këtë epidemi, që nuk selekton, por mund t’na marri të gjithëve.

Ndaj, ironikisht, po them, shpëtoni socialistët. Mbase te ju, nis reflektimi dhe rritet ndjeshmëria.

Shpëtoini pra, aq sa mundni. Aq sa keni në listat e antarësimit të partisë.

Duket cinike kjo kërkesë. Është e tillë.

Nëse kryeministër do të ishte S.Berisha, L.Basha F.Nano, A. Meksi, I. Meta apo P.Majko dhe situata do të ishte e njëjta si sot, atyre do ju drejtohesha me lutjen, shpëtoni shqiptarët.
Pse ky dallim ?

Sepse ju, nuk po shfaqni asnjë përgjegjësi për popullin, që qeverisni. Ju e keni zbritur veten në komandant garnizoni, që kapni ushtarët e larguar nga reparti.

Me vendimin e sotëm për “kapjen” e shkelsëve të orarit, ju po e shndërroni republikën në burg të zi.

E kaluara na kujton se ju përputhni km/2 të vendit me nr flijimesh. 28000 janë shumë or taj. Nuk janë stigma këto, por realitete të hidhura, të provuara po ashtu.

Më e rëndë duket gjendja, kur ju, nga një tunel kundraatomik, sikurse flitet në popull, shfaqeni si kasandra dhe paraqesni pritshmërinë e zezë të ditëve në vijim. Duke dashur ta zbus pak fjalinë e mësipërme, ngjasoni, si ato velinat e nderuara, që tundin belin për audiencë, me ndryshimin se ju tundni e kashaisni mjekrrën.

Ne, të gjithë, socialistë e demokratë, legalistë, ballistë, ambjentalistë, republikanë, komunistë, të paangazhuar, i dimë kapacitetet e vogla, që ka vendi ynë.

Nuk po kërkojmë mrekullinë nga ju. Mundësinë e jetës e duam dhe ju nuk jeni xhebraili, që t’na i merrni.

Z. Kryeministër, në 7 vite, buxhetin e shtetit e keni destinuar në punë të pakryera.

Mblidhni qeverinë dhe parlamentin, ndërprisni çdo financim të konçesionarëve dhe projekteve të tjera të padukshme, të deklaruara ose jo.

I vini ato lekë në shërbim të jetës së qytetarëve, në funksion të ruajtjes së rracës.

Të vazhdosh të financosh ende ato sipërmarrje do të thotë se akuzat e opozitës nuk janë politike, por absolutisht të vërtetuara. Jeni peng dhe i përdorur nga grupe me interesa zhvatëse.

Duhet ta bëni sot, që nesër të ketë njerëz të ripaguajnë taksa.
Ju, në gjithë këto ditë, keni dëshmuar se jeni një sanitar i mirë, por shqiptarët nuk ju drejtohen si pastruesit të shkallës.

Shtetarët, mund të ndodhen në letargji një moment kohe, ama në gjëndje të tilla, ata shfaqen siç janë të formuar. Qeveritar të mëdhenj ose zyrtarucë të vegjël me privilegje të mëdha.

Kjo ndodh edhe me piktorët. Ju nuk jeni Van Gogu e po ju kërkojmë të prisni veshët tuaj. Mos o Zot ! Ama ju mund të grisni (shfuqizoni) çdo Vendim, që nuk është në interes të popullit.

Z. Kryeministër, unë nuk jam socialist, por shumë miq dhe shok i kam në aradhën tuaj. Jo pak prej tyre, sot mendojnë si unë. Sigurisht, jo dhe aq pak, do mërziten pse unë, publikisht, ju shkruajta këto të vërteta.

Pra, duhet të vini gjithçka në funksion të jetës. Nuk na do të gjithëve dhe s’ke alibi për të provuar të kundërtën. As ne nuk ju duam, por Shqipërinë e duam më shumë sesa e doni ju.

Po, po, më shumë nga ju e duam edhe pse troje, pallate, biznese, dete e lumenj janë tuajat. Gjaku është joni dhe ne do të mbetemi këtu.
Gjithësesi, veproni me arsye dhe shpëtoni socialistët. Të paktën mbi këtë truall do mbeten 30 % shqiptar dhe nuk do këndojë qyqja në djerrina.

Për të tjerat. . . mesa duket asnjëra palë, nuk e di çfarë sjell e nesërmja.

Po prisje të shkruaja “S’keni parë gjë akoma”. Jo, nuk e perifrazojë.
Shprehje të tilla i përdornin dikur frikacakët e lagjes.

Në mbyllje, ju më kujtoni atë anekdotën e famshme me Nolin e madh,(i madh shkëlqente në literaturë e atdhetari) kryeministër. Ardhur dhe ai,,në atë post, nga një keqkuptim rrethanash.

Kur forcat e legalitetit po rrethonin Tiranën, Hirësia e Tij Theofani, thoshte mos më ndërprisni melodinë e flautit.
Vazhdoni sellfiet pra !