Një lajm i mirë më në fund nga Italia

Italia, shteti më i prekur nga koronavirusi në Evropë, regjistroi të hënën 3,233 raste të reja me koronavirus. Kështu, numri total i të prekurve nga Covid-19 në vend shkon në 27,980 persona duke e bërë Italinë vendin e dytë në botë më të prekur nga pandemia.

Në vend të parë qëndron Kina me 80,880 raste të konfirmuara.

Nga shifrat e njoftuara mbrëmjen e së hënës nga komisioneri për emergjencat, Angelo Borrelli në një konferencë për shtyp tregojnë se vetëm brenda 24 orëve në Itali kanë ndërruar jetë, jo pak, por 349 persona.

Por, edhe pse numrat vazhdojnë të mbeten të lartë, e vetmja gjë pozitive që u vu re sot është se të dielën numri i viktimave ishte më i madh dhe ka gjasa që virusi të ketë arritur kulmin dhe tani kurba të ketë filluar rënien. Të dielën humbën jetën si pasojë e Covid-19, 368 persona. Pra, 19 persona më shumë se të hënën.

Gjithashtu, duket se kemi një ulje edhe në numrin e personave të infektuar brenda një dite.

Numri i personave të infektuar vetëm të dielën ishte 3,590 ndërsa gjatë ditës së sotme u regjistruan 3,233 raste të reja me koronavirus. Pra, të hënën u sëmurën 357 persona më pak se të dielën.

Sipas shembullit të Kinës, nëse shifrat vijojnë edhe sot të ulen, atëhere e djeshmja mund të cilësohet si një ditë shprese për Italinë edhe pse vdiqën 349 persona.

Ndoshta kjo mund të jetë një shenjë që kurba e epidemisë në Itali e ka arritur pikun dhe po vjen drejt uljes. Gjithsesi kjo mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim nëse trendi do të vazhdojë të jetë zbritës.