Në përkujtim të poetit martir…

Përkujtohet sot poeti martir, Vilson Blloshmi, i cili ka lindur pikërisht më 18 mars 1948 dhe u pushkatua nga regjimi komunist në 17 korrik 1977.

Saharaja

Saharaja, larg është Saharaja
Saharaja shkëmb e rërë e gurë
Që ka shok veç emrin saja
Dhe ngaqë s’sheh ëndërra s’sheh as drurë.

Saharaja sdi të ëndërrojë
Ajo bluan gurë me mënt’ e sajë
Saharaja s’ka këngë të këndojë
Saharaja s’ka as lot të qajë

Saharaja nuk ka miq e shokë
Saharaja nuk ka bijë e birë
Saharaja është një copë toke
Thonë se dhe me natën nuk shkon mirë

Natës s’i pëlqen në Sahara
S’i pëlqen të ketë veç gurë e shtrojë
Fjalë e dashuri e njerëz s’ka
Perç’ e saja e zezë s’ka çtë mbulojë

As dhe një s’e di si është katandisur
Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi
Por se thonë në botë është stisur
Kur i duhej njerëzisë mallkimi

Kur ai për keq e mban në gojë
Saharaja e mban vesh e qesh
Saharaja fillon të gëzojë
Kur në të mallkohemi mes nesh

E kur bije ndrojtur rrez’ e diellit
Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit
I ngjan vello savani i qielli
Shkretëtirës shket e shkrepëtit

Peandaj, kur urrejtje e fortë e nxehur
Mbi dikë mallokon e shfryn e shanë
Që nga skuta del kujtimi i dehur
Dhe thërret menjëherë Saharanë

Kur mallkimi ç’fryn e kur kujtimi
Në pusinë e harresës tret…
Kur hyn dielli e kur hesht thëllimi
Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.

Poezia e Vilson Blloshmit, me titull “Saharaja”, u konsiderua si vepër penale e “agjitacion e propagandës për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor”.

Aktakuza e cila dënoi me vdekje poetin, ndër të tjera lidhet edhe me këtë poezi për përqasjen e Shqipërisë me shkretëtirën e Saharasë.

Vilson Blloshmi lindi më 18 mars të vitit 1948, në Bërzeshtë të Librazhdit. Ndoqi shkollën e mesme Pedagogjike në Elbasan dhe pas mbarimit të saj edhe pse me rezultate të shkëlqyera nuk u lejua të vazhdonte shkollën e lartë.

Pas diplomimit në Elbasan punoi si bujk, druvar dhe minator. Gjatë kësaj kohe iu përkushtua shkrimit dhe përkthimit, por pa patur mundësi t’i botojë për shkak të qenit pjesëtar i një familje “kulakësh”. Duke qenë me biografi të “keqe”, Vilson Blloshmi përndiqej nga Sigurimi i Shtetit. U arrestua në vitin 1977 me akuzën “sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë”.

Ditarët, përkthimet dhe poezitë iu sekuestruan dhe iu nënshtruan hetimit në detaje. Letërsia e tij do të përbente rrezik për regjimin komunist shqiptar.

Në datë 13 qershor 1977 Gjykata e Rrethit Librazhd i dënoi dy poetët Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën me vdekje, pushkatim, vendim i cili u zbatua në datë 17 korrik 1977.

Në vitin 1994 Vilson Blloshmit iu dha dekorata “Martir i Demokracisë” dhe në vitin 2006, u shpall “Qytetar Nderi” i rrethit të Librazhdit.

Në nder të dy poetëve është ngritur një memorial bronxi në qytetin e Librazhdit.

auto vilson blloshmi1584515858

vilson blloshmi1497343