Në kushte ankthi social gjendet ‘fajtori’…

Nga Artan FUGA

U mbyllën?! Shumë mirë! Por sot nuk është dita e budallallëqeve apo e hedhjes së hallit të një kokë turku, pra te emigrantët, te ata që kanë udhëtuar a te kushdo.

Ditët e para ka të infektuar që nuk manifestojnë asnjë shenje. Si të mbylleshin në shtëpi pa simptoma?!

Dihet që në kushte ankthi social gjendet “fajtori” ! Sikurse bëheshin koka turku hebrenjtë, sikur romët eliminoheshin si shtriganë, sikur bëheshin viktima ata që kishin një theks si të huaj.

Virusin mund ta sillte një diplomat, një stjuardesë, një ushqim importi, një nëpunës dogane që kthente mbrapsht ata që do t’i përzinin në kufij…

Histeria kundër emigranteve në Itali a Greqi është jo vetëm histeri kolektive, por edhe një gafë e rëndë.

Ajo që duhet sot është të hetohen të gjithë ata që kanë qënë në kontakt këto ditë me këta dy pacientët “zero”. Depistohen, karantinohen, mbahen në kontroll të rreptë.

As histeri, as panik, administrim i ditëve të para. Këtu fillon historia.

Unë vazhdoj ta përsëris prej dy javësh: duhet marrë eksperienca e mirë e Mesjetës së ndritshme kundër epidemive të asaj kohe.

  1. Duhet prodhuar pasoja artificialisht para se atë ta prodhojë shkaku natyror, se atëherë është vonë. Duhen zbehur rendshëm, lidhjet dhe lëvizjet sociale. Të çmendurit vazhdojnë akoma të venë klientin para njeriut…
  2. Në epidemi nuk ka kufij shtetërorë, Shqipëria, Greqia, Kosova, Italia, është një rajon i vetëm. Sikur të ishte thjesht Italia.

Italia u vonua tre javë pikërisht nën efektin e lobive financiare. Edhe stadiumet i donin plot… Jo Juventusi, jo Milani…

Fitimi, politika kundër njeriut. I thërrasim mendjes sa nuk është vonë.

Ata mjekë dhe shtriganë që në mënyrë të papërgjegjshme shkruajnë se koronavirusi nuk i kapka shqiptarët [!] u ngjajnë atyre gjoja gjeologëve a sizmologëve që na thoshin: nuk ka rrezik, flini gjumë, strukturat nuk janë dëmtuar. Na ka ruajtur Zoti!

Kur shkencëtari a intelektuali bëhet propagandist lëpirës, jo vetëm bëhet karagjoz, por edhe i rrezikshëm.

Masat e forta vetëm na nxjerrin përtej.

Përndryshe, hajde vazhdojmë, shkojmë në stadium dhe puthemi kur gjuhet penalltia.