Mjekët tanë…!

Nga Albert AVDULI

Një shkrim i botuar para pak vitesh, por po aq aktual, më duket dhe sot. Për saktësi, nuk bëra asnjë ndërhyrje, por u kujtova për shkrimin, teksa takova sot Dr. Ilir Allkja.

Qëndra spitalore “ Nënë Tereza” : Institucion human mbushur me sakrifica, dhimbje, gëzime dhe përvojë.

Dihet nga të gjithë që qëndra spitalore më e madhe në vënd mban emrin e humanistes Nënë Tereza. Betimi i Hipokratit, jo si një formulë rutinore, por si një detyrim professional, mëshirohet në formën më konkrete pikërisht në atë spital.Këtu ndërthuren në mënyrë të harmonishme mësimet e mjekut të lashtë dhe virtytet e shenjtores së kohëve moderne, Tereza. Ndoshta, emrat e dy të mëdhenjve, bëjnë që përgjegjësia dhe humanizmi të feksin aq fort. Ndodh, jo në pak raste, që neë ato salla i pashpresi te rikthehet në jetë porsi feniksi.

Ne vitet e gjata të tranzicionit jemi mësuar të dëgjojmë e artikulojmë akuza pa fund për mjekët tanë. I kemi nxirë bluzat e bardha me dhe pa shkak.Kemi shkelur mbi përpjekjet e tyre titanike dhe rastin e shkëputur e kemi përgjithësuar. Për ata që kanë shpëtuar mijëra jetë, apo kanë kuruar qindra – mijëra pacientë, kurrë se gjetëm kohën për një falënderim publik. Ata heshtin me modestinë dhe përpjekjet titanike të tyre për t’na rikthyer gëzimin , për t’na zbutur vuajtjet.

Shumë kush nga ne, thjesht, bën indiferentin.Në këtë grup e klasifikoj edhe veten.Kur nuk ke nevojë për trajtim mjekësor, spitali perceptohet si një institucion, në mos abstrakt te paktën i ftohtë e trishtues.Rubrikat televizive rreth temave shëndetësore të duken të largëta për t’ju kushtuar vëmendje të mjaftueshme.Bisedat e shokëve rreth sëmundjes së tyre apo të të afërmve i dëgjon sa për mirësjellje.

Në rrethana të tilla e gjeja veten, kur ende nuk isha ballafaquar me sëmundjen e një njeriu tim tepër të dashur. Sëmundja ecën dhe mjet udhëtimi ka jetën, trupin tonë. Kjo aksiomë shpesh harrohet deri në momentin kur gjendesh përballë rrezikut të vdekjes. E pra, pasditen e një të diele, ora e keqe më vendosi përballë dyerve te ftohta të sallës së kirurgjisë.

Ankthi dhe dhimbja shtohej më tepër nga sytë e përlotur të të afërmve që prisnin gjithashtu.Ekipi I mjekëve doli mbas 6 orëve dhe buzëqeshja e tyre fshihte lodhjen dhe tensionin e përjetuar përballë komplikacioneve të pacien!t. Profesor Nikollaq Kacani, pohoj me krye.Jeta kishte &tuar , por sfida ishte më e gjatë.Plot 3 muaj në pavionet e atij spitali Një odise e vërtetë rendur midis familjes, punës , interesimit dhe kujdesit për të sëmurin.

Në ato dhoma të zymta luftohej çdo ditë, çdo orë, çdo minutë për t’i dhënë leje jetës. Frymën
e ngrohtë, shpresën, kujdesin e japin ata mjekë të shkëlqyer.Nje grup i solidarizuar jo vetëm me njeri – tjetrin si koleg , por te unifikuar e bërë një me pacientin dhe të afërmit e tyre.

Në shenjë mirënjohje ndaj atyre qindra vetëve që kam takuar në ato 90 ditë , nuk ngurroj aspak të shkruaj emrat e Prof Kaçanit e Arben Gjatës, doktoret e talentuar Arben Beqiri, Ibrahim Bruka, Krenari, Edi, Ton Bollano, Endri, Gjika, Sokoli, Lordi, Renato Osmani, Tani, Besi.Të njëjtat përshtypje për ekipin e infermiereve dhe kryeinfermieren Albana. Janë dhjetra të tjerë, po aq të palodhur e miqësor, emrat e të cilëve, nuk arrij t’i përmend.
Për atë staf, asnjëherë nuk kuptova, nëse kishte të dielë apo festa zyrtare.

Në konsultat mjekësore, kurrë nuk dëgjova se kishte të sëmurë anonim. Flitej; filani te X dhomë ka shfaqur këtë simptomë ose ka rrezik.

Bluzat e bardha edhe pse sterile shfaqeshin, ngarkuar me aq shpresë. I kam parë ata mjekë, plot dëshpërim, kur dilnin nga salla dhe pohonin rastin fatkeq. Nuk artikuluan kurrë “vdiq”. Si një eufemizëm, përdornin fjalën e butë “e humbëm”.

I kam parë ata doktorë, kur përqafoheshin me të afërmit e të operuarit me sukses. Po, i kam vërejtur, teksa mposhtnin vdekjen. Në ato pavionë, një mit zhbëhej çdo ditë, Sizifi i lodhur nuk ekzistonte.

Është momenti të kujtoj sentencën e Bergman :”Jeta është vizatim, ku nuk mund të përdorni gomën”. E pra, aty, ky mësim ishte mbisundues. Bisturia nuk është gomë, një lapsus dhe gjithçka mbaron. Mbi parimet e barazisë dhe kujdesit sipëror, përjetohet çdo moment, në ato koridore dhe dhoma, paçka se nuk janë të standarteve evropiane. Ndryshimi gjëndet vetëm te pjesa fizike e spitalit tonë.

Aftësia, përkushtimi dhe talenti i ekipeve mjekësore është po aq i barabartë.
Gjithësesi, humanizmi dhe gatishmëria mund ta kapërcejë shërbimin e çdo klinike në vendet fqinje.

Se këta, janë mjekët tanë, se kurrë nuk kemi pyetur: sa paguhen, si ja dalin ?
Asnjëherë nuk duan të dimë, derisa, në një mesnatë jo ndriçuese, i kërkojmë. . .
Të gjithë këta, janë mjekë të shkollës shqiptare, pavarësisht specializimeve në vëndet perëndimore. E theksova këtë fakt, si dëshmi, se shtrati i universiteteve tona është potencial. Menaxhimi i tyre do vëmëndje.

Brenda atyre mureve, syri të zë derë të vjetër, tavan me lagështi, apo shkallë thyer. Si kompensim real, shfaqet talenti i mjekëve duarartë dhe përkujdesi maximal.
Më shumë se kudo “betimi i Hipokratit”, gjëndet mëshiruar te mjekët tanë të varfër e të sulmuar.