Mjekët e Durrësit reagojnë ndaj ministres: Duam t’i shohim analizat. Kemi frikë për fëmijët, për jetën…

Stafi mjekësor i Spitalit të Durrësit reagon pas deklaratës së pak minutave më parë të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Sipas ministres, pas vdekjes së 73-vjeçares me Coronavirus, mjekët kanë bërë analizat dhe kanë dalë negativë. Por sipas mjekëve të Durrësit, atyre iu është kërkuar karantinimi për 14 ditë.

Stafi mjekësor kërkon përgjigje individuale për secilin prej tyre pasi edhe analizat kanë qenë individuale.

“Na mori drejtoresha na tha që nuk ka asnjë të infektuar por analizat janë bërë individuale. Përgjigjet i duam individuale të na i nisin t’i shohim. Drejtoresha na tha që do të qëndrojmë për 14 dite në karantine. Nuk do të shkojmë në punë. Pse kur nuk jemi të infektuar duhet të qëndrojmë në karantine për 14 ditë si repart? Kemi frikë për fëmijët, për jetën. Që prej ditës së djeshme jemi ngujuar dhe na thanë që duhet të bëjmë analiza shtese se mos brenda 14 ditësh mund të shfaqet”, tha një prej infermiereve për News 24.

“Dua të njoftoj se të gjitha testimet, e mjekëve dhe infermierëve kanë rezultuar negative. Kjo do të thotë se mjekët dhe infermiert kanë punuar me udhëzimet e MSH dhe të OBSH-së”, do të shprehej Manastirliu.