Ministria e Shëndetësisë premton një maskë në javë për mjek. Kështu do mbroni stafin mjekësor znj. Ministre?!

PhD Ilir PECNIKAJ

Është fatkeqësi shumë e madhe kur në një ditë lufte, siç e thotë e gjithë bota, dhe qeveria jonë, Ministrja e Shëndetësisë, znj. Manastirliu, del dhe triumfon si fitore dështimet e kësaj qeverie.

Thotë se pret të marrë 25.000 maska FFP2/FFP3 (është e vetmja maskë e këshillueshme nga OBSH kundër COVID-19, as një maskë tjetër nuk është e vlefshme për personelin mjekësor).

A e di zonja ministre se ka një staf mjeksor me rreth 23.000 veta (20.400 staf i përhershëm dhe 2.600 janë vullnetarë, sipas MSH). Pra pritka t’i japë “pëshqesh” nga një maskë për person, stafit mjeksor. Thotë se pret edhe 140.000 copë të tjera brenda 45 ditëve. Një llogari e thjeshtë: sikur të vijnë periodikisht këto maska çdo javë, i bie që të vijnë rreth 23.000 copë/javë, pra nga një maskë në javë për person. Është njësoj si të dërgosh në luftë ushtrinë dhe t’i japësh një plumb në javë për të luftuar armikun.

Më tej për të mbuluar turpin flet për “maska specifike”, që në këtë rast nuk ka absolutisht asnjë domethënje, me përjashtim të mbushjes së diskutimit të saj me llumin e demagogjisë që dinë ta bëjnë aq mirë.

Lëre pastaj kur flet për doreza një përdorimëshe: 650.000 doreza thotë ajo (po ja zëmë palë doreza), pra i bie që çdo personel të ketë 2 palë doreza për 3 ditë, kjo e llogaritur veç për 45 ditë.

Asnjë fjalë për tampone dhe për kite. Siç duket nuk e kanë vu as ujin më zjarr për këtë punë, e cila, siç kemi thënë edhe në publikimet e mëparshme, po ecet tepër ngadalë.

Në këtë pikë transparenca është zero.

Në dy ditët e kaluara janë analizuar vetëm 77 persona nga të cilët thuhet se 28 janë pozitiv.

Janë bërë deri më tani 856 teste gjithsej ose 2.8/10.000 banorë, Italia 43/10000 ose rreth 16 herë më shumë se ne, Islanda 3.3% të popullsise ose 120 herë më shumë se Shqipëria. Kroacia 7/10000 banorë, ose 2.5 herë më shumë. Greqia 8/10000 banorë ose rreth 2.8 herë më shumë. Korea e jugut 67.6/10000 banorë ose 32.5 herë më shumë. Anglia 12/10000 banorë ose 4,2 herë më shumë. Spanja 76/10000 banorë, ose 27 herë më shumë. E kështu me radhë. Një dështim të plotë edhe në këtë pikë.

Pas një kërkese të vazhdueshme për blerje respiratorësh, ngritjen e cadrave të triazhit perpara qendrave infektive, ku për qeverinë deri dje ishin të panevojshme sepse vetëm një opozitë e çmendur mund të imagjinojnë gjëra të tilla (këto fjalë të dalura nga zyra e Surrelit), sot ato premtuan se do ngrejnë 2 çadra triazhimi, dhe do të blejnë edhe 54 respiratorë, të cilët mund të vijnë deri pas 10 ditëve dhe numri i tyre mund të shkojë në 140 deri pas 45 ditëve. Edhe pse kjo është një sasi thellësisht e pa mjaftueshme dhe jashtëzakonisht shumë e shtrirë në kohë.

Për çfarë thamë më sipër çdo ministër, ose më thjeshtë akoma, çdo person me më pak integritet sot duhet të kishte lënë detyrën, por siç duket kësaj shpurë ministrash e drejtuesish integritetin e kanë varrosur që në 2013.