Mediat reagojnë ndaj Ramës: Paaftësia e Qeverisë për të menaxhuar situatën nuk mund të mbulohet duke kërkuar “fajtorin” tek mediat

Një grup mediash të pavarura kanë dalë në një komunikatë të përbashkët ku shprehin shqetësimin e tyre për mjetet e komunikimit që po zgjedh qeveria Rama, duke iu referuar komunikimit zanor dhe monopolizimin e informacionit duke e bërë thuajse të pamundur marrjen e informacionit.

DEKLARATË
Ne, një grup mediash, organizatash të mediash dhe organizatash për të drejtat e njeriut ngremë sot shqetësimin për mjetet e komunikimit që po zgjedh Qeveria Shqiptare në raport me situatën.

Në radhë të parë, Qeveria ka monopolizuar informacionin duke e bërë thuajse të pamundur marrjen e informacioneve indipendente, duke mos lejuar personelin mjekësor të flasë me gazetarët dhe duke e kufizuar totalisht verifikimin e deklaratave të shtypit. Praktikisht, e vetmja “e vërtetë” me shifra apo të dhëna mbi virusin, i bie të jetë ajo që lexojnë zëdhënësit e Qeverisë. Ky kufizim i informacionit, përveçse anti-kushtetues është dhe i dëmshëm. Nëse jemi në një situatë të panjohur e të paqartë, kjo është VETËM faji i Qeverisë që nuk ka arritur të komunikojë qartësisht situatën ditë pas dite. Nëse sot ka shqiptarë që ende besojnë që “ne nuk na zë virusi” kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e strategjisë së komunikimit mediatik të qeverisë në këto javët e fundit.

Në rradhë të dytë, Kryeministri i Shqipërisë, z. Rama, u ka dërguar një komunikim zanor një pjesë të qytetarëve të Shqipërisë që përdorin celular. Përveçse mesazhi zanor që të del ndersa ti dëshiron të kryesh një telefonatë personale është cënim i hapësirës private, Kryeministri u komunikon qytetarëve: “Ruajuni nga mediat”. Ky sulm kundër mediave nuk ka vend në këtë situatë. Paaftësia e Qeverisë për të menaxhuar situatën në javët para se shpërhapja të kthehej në pandemi nuk mund të mbulohet duke kërkuar “fajtorin” apo “armikun” tek mediat. Ne gjykojmë që personalizimi i komunikimit nga Kryeministri është shumë i rrezikshëm.

Përveçse kjo e kthen komunikimin në një fushatë politike, marrja nga Kryeministri e pozicionit të atij që “këshillon” publikun është jo-etike dhe e gabuar. Informacioni shëndetësor duhet shpërndarë përmes institucioneve e jo individëve, përmes profesionistëve e jo-politikanëve.

Ne si media angazhohemi të publikojmë dhe shpërndajmë informacion të përditësuar nga burime të përgjegjshme për t’i shërbyer publikut në maksimum në këto ditë të vështira.

Por, njëkohësisht u kërkojmë institucioneve përgjegjëse: Të bëjnë transparencë dhe të mos mbajnë informacione të fshehura; Të informojnë qartë se cila është situata aktuale e përhapjes së virusit dhe të dhënat paraprake që kanë çuar në izolimin e qytetarëve dhe pezullimin e biznesit; Të angazhohen në krijimin dhe përditësimin e shpeshtë dhe shpërndarjen efektive të databazave me informacion zyrtar; Të bëjë transparent planin e masave, kohëzgjatjen e kufizimeve dhe bazën ligjore ku ato mbështeten.

Lista e Mediave
DITA
Dosja.al
Droni.al
Exit.al
Gazeta-Shqip.com
Lapsi.al
Mapo.al
Politiko.al
Syri.net
Tpz.al
Koha Jone
Organizatat:
CRD
Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë
Këshilli Shqiptar i Medias
Qendra Citizens-Channel.com
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë