Me Ramën e kemi të sigurtë katastrofën

Nga Red VARAKU

Edi Rama është psikologjikisht, moralisht edhe intelektualisht i papërshtatshëm për të qenë kryeministër i shqiptarëve, sidomos në këtë kohë ku çdo gabim sado i vogël rrezikon jetën e të gjithë qytetarëve.

Kjo është arsyeja se pse shtatë vitet e tij në krye të vendit kanë qenë dizastër total. Ai ka dështuar në mënyrë spektakolare në çdo aspekt të qeverisjes.

Por, nëse deri dje injoranca, paqëndrueshmëria psikologjike dhe demagogjia e Edi Ramës, mund të quheshin thjesht dështime, sjellja e tij në menaxhimin e kësaj pandemie mund të sjellë një katastrofë të paimagjinueshme humanitare.

U deshën 7 ditë që çdo qytetar të kuptojë në dorën e kujt kanë mbetur. Tani vetëm ideja që në krye të menaxhimit të kësaj krize kemi një njeri të tillë ka sjellë panik tek shumica e qytetarëve. Vështirë të gjendet një rast në botë të një kryeministri kaq cinik dhe të papërgjegjshëm, i cili ofron si zgjidhje për situatën joga përzier me gjoba dhe skërmitje dhëmbësh.

Sigurisht, Rama nuk mund të mbajë përgjegjësi për koronavirusin dhe sëmundjen që shkakton ai. As nuk mund të pretendojmë që ai mund ta ndalonte ardhjen e tij në Shqipëri.

Duhet pranuar që masat që ka marrë deri tani janë të domosdoshme për frenimin disi të përhapjes. Dhe absolutisht nuk duhet ta fajësojmë atë për çdo gjë, madje ky është një qëndrim që duhet ndaluar në këtë situatë emergjence.

Por, ai ka përgjegjësi absolute për neglizhencën totale të shtetit të paktën prej tre javësh paralajmërime nga opozita. Ai ka përgjegjësi për lejimin e lëvizjes me Italinë, për shpërndarjen e 1.2 milion maskave të skaduara, për gabimin në spitalin e Durrësit, për mungesat e tamponëve, për vendimin për të testuar pak njerëz, për mungesën e shtretërve. Por, përgjegjësia e tij më e madhe mbetet mosmarrja e asnjë mase për të garantuar sigurinë ekonomike të qytetarëve më të varfër të Europës.

Këto dështime kanë shkaktuar panik dhe pasiguri tek qytetarët, sepse dihet që nëse këto masa do të ishin marrë më herët, sigurisht që përhapja do të ishte frenuar shumë herë më shumë.

Në fakt ky njeri, në vend që të merrte masa, rrinte dhe bënte show dhe deklarata të papërgjegjshme, ku e mohonte realitetin e pandemisë dhe kërcënonte këdo që mendonte ndryshe.

Qytetarët i mbajnë mend mirë deklaratat e tij të papërgjegjshme, ku deklaronte se Shqipëria është e pregatitur për çdo skenar. Sigurisht që një politikan si ai nuk ka turp të gënjejë për çdo gjë, por të gënjesh për pandeminë nuk është njësoj si të gënjesh fjala vjen për rritjen ekonomike. Pandemia nuk e toleron rrenën dhe mashtrimin. Ajo e zbulon atë në mënyrë të pamëshirshme.

Por fodullëku dhe papërgjegjshmëria e tij vazhdon edhe pas zbulimit të rasteve të para. Ai nuk komunikon në zyrë, aty ku komunikon çdo njeri i përgjegjshëm që është në krye të detyrës, por komunikon i lumtur nga vila e tij dy milion dollarëshe në Surrel, duke dhënë një mesazh tepër të gabuar për kombin dhe ekonominë. Flet papushim i eksituar për luftë, gjoba, joga, kërcënime, pushime nga puna duke kontrabanduar frikë në çdo familje.

Është e qartë që ky është një dështim që nuk lidhet me mjekët dhe infermierët tanë heronj dhe as me policinë dhe ushtrinë, ata të gjithë janë në krye të punëve 24 në 24. Ky dështim lidhet kryesisht me mangësitë e mëdha që ka ky njeri në personalitet. Ai nuk e pranon të vërtetën dhe e ka të pamundur të jetë i sinqertë nëse nuk përfiton. Ai është mitoman, nevrastenik dhe impulsiv, nuk pranon gabime, ndaj e ka të pamundur të planifikojë me qetësi. Ai ka vendosur të qeverisë nëpërmjet panikut, sepse vetëm nëpërmjet tij mund të sundojë.

Në vend që të bashkojë kombin në këto momente katastrofe, në mënyrë të papërgjegjshme përpiqet të ndezë urrejtjen dhe përçarjen. Ky çrregullim në personalitet dhe kjo paqëndrueshmëri psikologjike e bën atë njeriun më të papërshtatshëm dhe njeriun më të rrezikshëm për këtë krizë.