Më në fund lajme shpresëdhënëse, Italia shënon rënie të ndjeshme të infektimeve dhe vdekjeve

Italia mund të ketë nisur kthesën sa i përket koronavirusin, pasi të dhënat tregojnë një ngadalësim domethënës të infeksioneve dhe vdekjeve në fundjavë.

Sipas Daily Mail, kjo mund të jetë prova e parë se masat drakonike të kufizimeve po funksionojnë.

Italia mbetet vendi më i prekur nga koronavirusi- me thuajse 5500 viktima, ndërsa numri i të infektuarve është gati 60 mijë.

Por një rënie e vdekjeve dhe infeksioneve të reja mes të shtunës dhe të dielës mund të tregojë se më në fund kurba ka nisur të ngadalësohet, dy javë pasi vendi u izolua totalisht.

Autoritetet italiane raportuan 651 vdekje të dielën- një ulje domethënëse nga rekordi prej 793 viktima të shtunën.

Vendi po ashtu konfirmoi 5560 raste të reja me koronavirus mes të shtunës dhe të dielës, një rënie e ndjeshme nga 6557 mes të premtes dhe të shtunës.

Italia ka shënuar rekord vdekjesh për disa arsye, por numri i infeksioneve ka ndjekur një trend thuajse të njëjte me të gjitha vendet e tjera të prekura në botën perëndimore.