Makthi italian, mjeku: Nuk kam qenë kurrë më i stresuar sesa kaq…

Mjekët italianë po mundohen të bëjnë gjithçka për të shpëtuar jetë njerëzish, ndërkohë që vendi po shënon shifra të frikshme vdekjesh nga koronavirusi. Numri i viktimave shkoi 3405 një ditë më parë, më i larti në botë.

Disa pamje shokuese nga Sky News tregojnë skenat e tmerrshme brenda spitalit Papa Giovanni XXII në Bergamo, një nga qytetet më të goditur në botë. Pavijoni është i mbushur plot me njerëz që kanë vështirësi në frymëmarrje.

Një mjek që punonte në reanimacion tha se nuk është ndjerë kurrë më i stresuar në jetën e tij.

Morgu në qytet është plot dhe varrezat nuk kanë më vend. Një ditë më parë u publikuan pamje të kamionëve ushtarakë që merrnin të vdekurit për t’i dërguar në varreza të tjera.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme u publikua dhe një raport mbi moshën e viktimave, ku mestarja e tyre ishte pak më shumë se 80 vjeç.

Pikërisht mosha e madhe e popullsisë është një nga arsyet më të forta pse Italia tashmë ka numrin më të lartë të të vdekurve në të gjithë botën.

Po ashtu masat e ashpra parandaluese në vend u morën me shumë vonesë, çka bëri që numri i të prekurve të shtohej me një shpejtësi të frikshme.