Kurti refuzon ftesën e Thaçit për takim: Nuk kam asnjë interes…

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i ka shkuar sot në takim presidentit të vendit, Hashim Thaçi, i cili e kishte ftuar Kurtin për në ora 13:00.

E nga Lëvizja Vetëvendosje kanë treguar pse Kurti ka refuzuar ftesën e Thaçit.

“Kryeministri Kurti ka deklaruar tashmë arsyet e mospjesëmarrjes në takimin me presidentin: e para ishte për faktin se sot pati deklarimin e saj në Kuvend Vasfije Krasniqi-Goodman, dhe e dyta sot presidenti paska takuar krerët e partive politike.

Në këtë linjë ai ka deklaruar që si kryetar i VV nuk as interes as gatishmëri ta takojë presidentin, ndërkaq si kryeministër e ka obligim dhe këtë do ta të bëjë në një moment tjetër”, ka thënë për Telegrafin, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.

Kujtojmë se para disa ditësh, kryeministri Kurti kishte kërkuar ta takohej me presidentin Thaçi, që të koordinohen për politikën e jashtme, mirëpo Thaçi nuk i kishte shkuar në takim.