Kryeministri si fajtor i lumtur!

Nga Albert AVDULI

Deklaratat, që Kryeministri bëri sot në kongresin e tij, fare qartë, i përmbledh shprehja e famshme latine :”o felix culpa”.

Shqip: “O faj(tor) i lumtur!

Dëshira e shprehur si vullnet dhe gatishmëri për të fituar mandat të tretë, më shumë duket si një thirrje paniku sesa si objektiv politik.

Pse e lexoj si të tillë?

Një parantezë e shkurtër.

Nga fundi vitit 2012, ish Kryeministri Berisha, teksa bënte një paraqitje të arritjeve të qeverisë, shprehu ambicien për një mandat të tretë qeverisës. Mos harroni, ishte qeveria me rezultate konkrete në gjithë sferat e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, pensione, paga, NATO, heqja e vizave etjer.

Strukturat e partisë demokratike, në euforinë e dëshirës, nuk po shihnin disa fenomene të tjera, që po e shkallmonin pushtetin.

Atëhere kam botuar një shkrim, te gazeta Standart apo Mapo me titull ” Për Mandat të tretë, nuk mjafton vetëm vullneti i Kryeministrit “.

U shigjetova e u shpalla i marr, por profecitë ndonjëherë i thonë njerëzit e zakonshëm.

Qershori i vitit 2013, rrëzojë vullnetin e Dr Berishës.

Të krahasosh Shqipërinë atëhere dhe këtë sot. . .!?

Kryeministrin premtim mbajtës atëhere dhe kreun e qeverisë aktuale. . .! ?

Rikthehem te narrativa e fjalisë së parë të shkrimit.

Pra kryeministri ka dëshirë dhe lë detyra, cakton nr e votave, që do dhe bënë paradën e sukseseve në shtatë vite.

Le të ngazëllehen ndjekësit e partisë disa kohë, të mbushin rrjete sociale e gazeta.

Fjalët treten në eter. Në ekonominë e familjeve, fjalët nuk vihen në frigorifer. Xhepi apo portofoli i burrit a gruas nuk rëndohet me foton e udhëheqësit.

Nuk mjafton!

Sado, që propoganda distilohet në laborator modern, ajo nuk bind akoma. Ky popull nuk është i fosilizuar as embrion i konservuar, që ta konsiderosh baltë e ta ngjeshësh me këmbë.

Jo, Zoti Kryeministër.

Ju nuk jeni Hermesi dhe mbani sekretet e krijimit.

Më qartë duket e shkuara sesa ajo, që vjen.

Më së pari Ekonomia, Ekonomia, duket e ndjehet si plagë e madhe.

Pikërisht këtu, po ndal edhe Kryetari i PD-së Z. Basha, në çdo takim e dalje publike.

Këtu duhet përqëndruar gjithë propoganda e opozitës. Aktivistët e saj, të lënë cic – micet me alketa e rudina, por të evidentojnë çdo orë fatura, tarifa, lista buke, mjerimin.

Në këto 79 e muaj, shqiptarët kanë qënë në zgrip të jetës.

Nuk do paraqes krahasime për paga e pensione se nuk ka referime. Mbetemi ende te ato çfarë la Berisha. Infrastruktura ka ndjerë veç arnime të vogla, por nuk ka vepra kombëtare.

Bujqësia. . ., s’po e vazhdoj. Pyesni fermerët. Çmimet. . ., s’po ju mërzit. Largimet. . .

Këtu do ndal. Simbas raporteve ndërkombëtare, Shqipëria renditet si një nga 20 vëndet me shpopullim më të madh në botë. Në vitin 2018, zyrtarisht janë larguar definitivisht 60 mijë shqiptar. Viti 2019 ka zyrtarisht të larguar 40 mijë banorë. Në kujtesën e të gjithëve, në memorien e kompjuterit të secilit, janë aplikimet e secilit për llotarinë amerikane. Sa persona aplikojnë janë të raportuara në çdo gazetë. Shifër e frikshme. Numri i lindjeve ka rënë dhe janë shtuar vdekjet.

Ky raport është sirenë alarmi për plakjen e shoqërisë.

Kjo nuk është pasojë e globalizmit, e paqartësi e sigurisë së të ardhmes.

Me pak fjalë, more në 2013 një Shqipëri të madhe dhe po lë një një vënd të vogël.

Administrimi i fondeve publike ka aq shumë njolla sa çdo deklaratë publike përgënjeshtruese, vetëm përforcon bindjen se aty ka abuzime.

Rasti fatkeq i tërmetit dëshmoj solidaritet njerëzor, por miliona euro u derdhën në llogari shoqatash dhe jo qeveritare.
Donacionet ndërkombëtare ishin një ngjarje e ngrohtë, por kushtëzimi dhe monitorimi i administrimit të tyre, shpullë ndaj jush.

Pra zoti Kryeministër, propaganda është si shiu. Ajo bojatis, por nuk ndryshon të vërtetën mjaftueshëm. Shiu lan pluhurat, por jo mëkatet.

Gjeneral ! Shqiptarët janë të varfër, por jo mish për top.

Fjala juaj kishte brohoritje në atë sall ku ju ishit Mesia, por pigmenti dimëror dallohej në çdo dorë, që përplasej.