Koronavirusi/ Çfarë do të ndodhë me Serinë A, Champions dhe EURO 2020

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, lajmëroi që Italia do të vendoset në karantinë deri më 3 prill. Por çfarë ndikimi do të ketë kjo gjë në botën e futbollit?

Vendimi për t’i suspenduar të gjitha eventet sportive – përfshirë këtu edhe Serinë A, erdhi pas një tjetër ngritjeje në numrin e rasteve me koronavirus në Itali gjatë ditëve të fundit.

Gazzetta dello Sport shkruan sot se klubet do të kenë mundësi të vazhdojnë me zhvillimin e stërvitjeve dhe ndeshjeve në garat evropiane, të cilat janë planifikuar të mbahet para 3 prillit.

Por, në Serie A, dekreti i ri i qeverisë bën që klubet t’i humbin edhe dy xhiro të reja të Serisë A, përderisa Federata e Futbollit e Italisë tani duhet ta bëjë një plan të ri për agjendën pas 3 prillit.

Gazeta italiane thekson se Federata e Futbollit e Italisë nuk e ka të përcaktuar në statut se çfarë duhet të ndodhë në raste të tilla.

Probleme më të mëdha do të shkaktohen nëse sezoni i Serisë A s’do të mundë të përfundohet, pasi që pastaj nuk do të dihet se kush bie dhe kush promovohet dhe si mund të shpallet ndonjëri klub kampion.

Koronavirusi është përhapur edhe në Evropë, mirëpo, për momentin, garat evropiane – Liga e Evropës dhe Liga e Kampionëve – do të vazhdojnë si zakonisht, përkundër që disa prej ndeshjeve është vendosur të zhvillohen pa tifozë në stadium.

Nëse ndodh më e keqja, sipas Gazzetta dello Sport, disa prej skuadrave, veçanërisht ato italiane, do të duhet t’i luajnë ndeshjet si vendas në territor neutral.

Sa i përket Kampionatit Evropian 2020, ku njëra ndër vendet nikoqire është Italia, është ende shumë herët për të vendosur, sipas gazetës italiane.

Italia e ka propozuar shtyrjen e EURO 2020, por në fund vendimi t’i takojë UEFA-s dhe qeverive e autoriteteve të futbollit të vendeve pjesëmarrëse.