Koronavirusi/ 7 viktima me kombësi shqiptare në Itali

Sonila ALLUSHI

Jemi një nga komunitet më të mëdhenj në Itali e nuk kish si të mos prekeshim nga tsunami Corona Virus:

Sot, burime JO ZYRTARE, më bëjnë me dije se deri tani në veriun e Italisë kemi 7 viktima me kombësi shqiptare. Flitet për një person nga Treviso, një nga Pavia, tre nga Brescia dhe dy nga Cremona. Mesatarja e moshës së tyre është 75 vjeç, 4 prej tyre janë gra dhe 3 prej tyre burra.

Lajmi më vjen nga komunikime private me familjarë dhe të njohur të viktimave pas intervistës së mbrëmshme me skype në emisionin “Open” të Zonjës Eni Vasili.

Të jetë e qartë, keqardhja për çdo jetë që po humbim sot, pavarësisht nga kombësia, për mua ka të njëjtën peshë trishtimi në zemër. Por kuptoj mirë nevojën e komunitetit tonë në Itali dhe mediave shqiptare për të ditur më shumë rreth qytetarëve shqiptarë gjatë kësaj faze të errët historike.

Ngushëllime me gjithë zemër familjarëve dhe miqve të viktimave. Ju paçin lënë uratën e sa më i lehte i qoftë dheu.