Kolapsi i biznesit/ Fasonët: Kjo për ne është Lufta e Tretë Botërore

162

Biznesi kërkon që qeveria të përballojë faturën për pagat e punonjësve. Përfaqësues të shoqatave pohojnë se nuk kanë aftësi paguese të përballojnë pagat e punonjësve, për shkak të paralizimit të ekonomisë që po shkakton karantina. Industria fason kërkon që minimalisht punonjësve t’u paguhet asistencë nga qeveria.

Një tjetër kategori e prekur janë të vetëpunësuarit në biznesin e vogël, për shkak të mbylljes së këtij sektori. Kryetari i Shoqatës të Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, Albert Nasto, u shpreh për “Monitor” se qeveria duhet të kompensojë pagat e të vetëpunësuarve.

“Qeveria duhet të marrë përsipër pagesën për pagat e të vetëpunësuarve. Nëse paga ime në dyqanin ku punoja ishte 40 mijë lekë në muaj, këtë pagë duhet ta paguajë shteti”, pohon Nasto.

Industria e fasonëve gjithashtu kërkon që pagat e punonjësve ose pagesat e asistencës të përballohen nga qeveria. “Biznesi fason nuk ka asnjë lloj mundësie të përballojë kosto të tilla. Industria i ka pasur disa kosto, kush më shumë e kush më pak nga tërmeti, deri tani nuk kemi parë ndonjë gjë nga shteti”, u shpreh përfaqësuesi i kësaj industrie, Sajmir Bidaj për “Monitor”.

“Fasoni nuk gjeneron të ardhura të mëdha, rentabiliteti i industrisë është shumë i ulët në raport me aktivitetet e tjera të ekonomisë. Qeveria minimalisht duhet të marrë përsipër pagesat për pagën e punonjësve ose asistencë për ta”, thekson Bidaj.

Situata paraqitet e vështirë edhe për sektorin e prodhimit të këpucëve, për shkak të bllokimit të punës, të cilët kërkojnë që kostoja e pagave të përballohet nga qeveria.

Donika Mici, përfaqësuesja e kompanisë të prodhimit të këpucëve, “Donianna” tha se aktualisht, kur situata paraqitet e përkeqësuar në vend, dhe në kushtet e shpalljes të pandemisë botërore, fabrikat e prodhimit të këpucëve mund të mbyllen.

“Blerjet kanë ndaluar, shumë shtete do të izolohen, çka do të sjellë që të mos prodhojnë, pasi nuk kanë treg shitje. Nuk del asnjë njeri në rrugë të marrë porosi, nuk del njeri në rrugë të shesë. Është një krizë globale dhe përpara aktivitetit ekonomik, unë dhe punonjësit e mi preferoj të jetoj. Fillimisht nuk dimë se si do të na shkojë jeta, dhe pak na intereson vazhdimi i punës.

Kjo është lufta e tretë botërore, që shkatërron ekonominë dhe shëndetin e njerëzve. Parashikoj që gjithçka do të nisë nga zero, si pas Luftës të Dytë Botërore. Ajo çka më shqetëson më shumë në këto momente, është që të dalim nga kjo luftë pa numër të lartë viktimash. Pritet që kjo situatë të zgjasë deri në qershor në Itali, çka do të ndikojë edhe në vendin tonë. Pra, ky 6-mujor do të jetë katastrofik”, shprehet zonja Mici.