Ish-Presidenti: Nxjerrja e blindave dhe ushtrisë në rrugë projekton një rrezik e përplasje të madhe

Nga Bujar NISHANI

Ditën e djeshme , 20 Mars 2020, sikur të mos mjaftonte rreziku i shtuar për shqiptarët nga virusi, stresi i agravuar nga karantina masive, frika e shtuar nga pasiguria sociale dhe ekonomike për të ardhmen, qeveria më e papërgjegjëshme e këtyre kohërave, e shtoi edhe më shumë zullumin dhe kërcënimin për shoqërinë.

Pas përgënjeshtrimit zyrtar nga kompania përkatëse telefonike të mesazhit të sajuar në emrin e liderit të opozitës prej çorapeve mjerane në funksion të çekujlibrit psiqik të kreut të bandës mafioze, u dyndën rrugëve të kryeqytetit autoblindat e Ushtrisë duke tentuar dhunimin makabër të psikikës së një populli të tërë që nuk po e kupton se nga po i vjen realisht rreziku.

Nëse në rastin e mesazhit të fallcifikuar, trashëgimtarët e Sigurimit famëkeq të Shtetit dhe çorapet mjerane nuk bëjnë dot shumë dëm, sepse prej 7 vitesh, përgjimet e paligjëshme, falcifikimet, mashtrimet, kurthet kanë qenë aq të shumta e ordinere sa nuk bëjnë më “fajde”, pasi që dhe çorapeve do ti vije dita për tu larë.

Por nxjerrja e blindave dhe ushtrisë nga kazermat në rrugë pa shpallur asnjë ligj të “Gjendjes së Jashtëzakonëshme”, projekton një rrezik e përplasje të madhe.

Forcat e Armatosura as e kanë mision e as janë të pregatitura e trajnuara të përballen me masën civile të popullatës.

Ata nga njëra anë dhe qytetarët civilë nga ana tjerër i ekspozohen një rreziku serioz përplasje.

Asnjë vend evropian apo i rajonit tonë nuk e ka nxjerrë ushtrinë në rrugë.

Dalja e tyre në ruajtje të rendit kushtetues mund të bëhet, por në çdo rast në respekt të ligjeve dhe Kushtetutës.

Askush nuk i pengon sot autoritetet shtetërore të përdorin edhe ushtrinë por duke respektuar Kushtetutën më parë.

Çdo akt, veprim dhe angazhim nëse bëhet në përpikmëri me ligjet dhe Kushtetutën, është gjithmonë më i respektueshëm nga publiku dhe më efikas.

Ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, do t’ju duhet të përgjigjen një ditë, se me çfarë ligji i nxorrën trupat ushtarake nga kazermat në rrugët e qytetit.

Ky akt i rëndë është tashmë i rregjistruar me datën 20 Mars 2020 !

Ata që mendojnë se shqiptarët janë “kavje eksperimentale”, gabojnë rëndë !

Qeveria dhe Parlamenti e kanë të gjithë fuqinë ligjore dhe makanizmat e mundëshme të shpallin dhe deklarojnë “Gjendjen e Jashtëzakonëshme” e mbi bazën e saj të ndërmarrin të gjitha veprimet që përcakton “Gjendja e Jashtëzakonëshme”.

Me aktin e djeshëm, qeveria dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, kanë legjitimuar daljen nga kazermat të ushtrisë në rrugët e qytetit dhe në jetën civile të shqiptarëve pa kurrfarë ligji dhe sa herë që ti duhet politikës së mbrapshtë.

Përgjegjësit për këtë precedent të rëndë do të hetohen e do të përgjigjen ligjërisht.
Autoritetet e NATO-s kanë detyrimin të reagojnë në këtë rast flagrant dhe kërcënues për të ardhmen e rendit juridik dhe civil të Republikës së Shqipërisë.

Po dje, ndërsa konsumohej ky akt i rëndë u konfirmua zyrtarisht se ishte fallcifikuar komunikimi telefonik i liderit të opozitës, duke u keqpërdorur gjatë komunikimit publik të kryeministrit, për ta goditur politikisht dhe dëmtuar publikisht liderin e opozitës.

Në situatën e një krize të rëndë, qeveria në Shqipëri angazhohet në akte të rënda provokative dhe tenton ta çojë vendin drejt një përplasje të madhe përmes injektimit dhe nxitjes së panikut masiv nga njëra anë dhe provokimit të urrejtjes ndaj opozitës politike, duke lënë në mëshirë të fatit çdo ditë e më shumë shqiptarët e rrezikuar nga virusi.

policia 1