I vetmi plan që ka qeveria është plani për të shpëtuar veten

Nga Red VARAKU

Kur prezantoi planin e tij për daljen nga kjo situatë në Opinion, Rama i siguroi shqiptarët, që nuk kishte vetëm një plan A, por kishte edhe një plan B, C deri dhe D. Me një vetësiguri arrogante, ai përcolli disa shifra për të cilat ende sot nuk ka një shpjegim, ku të përcaktohet me detaje strategjia për realizimin e kētij plani.

Deri tani kaq dimë për atë plan me shtatë pika. Në fakt më shumë se plan, ajo ishte një lëvizje propagandistike, për t’ia kundërvënë planit të Opozitës, e cila që në fillim e akuzoi qeverinë për mosmarrje të masave për mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së qytetarëve.
Që qeveria e ka një plan për të dalë nga kjo situatë kjo është e qartë, por që ky plan nuk synon të shpëtojë aspak jetën e qytetarëve, por synon të shpëtojë jetën dhe fytyrën e kësaj qeverie, kjo është edhe më e qartë.

Është e qartë që vendimet e kësaj qeverie në lidhje me situatën janë vendime të atypëratyshme dhe krejt të pamenduara, ashtu siç është e qartë që të gjtha vendimet e kryeministrit nuk synojnë t’i vijnë në ndihmë qytetarëve, por synojnë të mbulojnë dështimet spektakolare të kësaj qeverie.

Në fakt është pikërisht mungesa e këtij plani që shpjegon dështimin e qeverisë për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve dhe kaosin që ka përfshirë qeverisjen shqiptare, ku gjithçka duket e paorganizuar, sepse njëri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit.

Kuptohet që ky kaos shpjegohet vetëm me faktin që qeveria nuk ka asnjë plan real, transparent dhe të detajuar me prioritete të fiksuara dhe synime të qarta, ku të gjithë aktorët përkatës të bëjnë detyrën e tyre, ndaj ka vendosur të shpërndajë vetëm pasiguri dhe panik.

Ajo nuk ka asnjë plan që synon të minimizojë dëmin, që do të shkaktojë virusi dhe depresioni ekonomik. Nuk ka asnjë plan që të na tregojë se si mund të kufizojmë numrin e të infektuarve dhe vdekjeve, por njëkohësisht si të maksimizojmë shpejtësinë e rindezjes së motorrave të ekonomisë tonë bazuar në mendimin e ekspertëve më të mirë.

Sigurisht, që ankthit të qytetarëve nuk mund t’i japë fund thjesht një plan, por kur gjërat bëhen transparente në bazë të një plani të detajuar, ku përcaktohen me detaje se kur dhe sa do të paguhen qytetarët që kanë humbur punën për shkak të koronavirusit, ku përcaktohet se çfarë do të ndodhë me punën e tyre, me biznesin e tyre apo me qeratë e tyre, ku përcaktohet se çfarë do të bëhet me kreditë që kanë në bankë, ku përcaktohet se kur do të mund të rikthehen në punë, qytetarët kanë mundësi të bëjnë disa llogari për të ardhmen dhe do të mund të marrin frymë lirisht.

Vetëm me një plan transparent dhe një stategji shtetërore për realizimin e këtij plani do të jetë shumë më e lehtë të binden dhe qetësohen të gjithë qytetarët, ndryshe nëse vazhdohet me propagandë boshe pasojat do të jenë mjaft të rënda, deri edhe të parikuperueshme për jetën dhe pasurinë e qytetarëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here