I vëllai me koronavirus, Dom Lush Gjergji flet nga karantina: Çfarë ndodhi me familjen tonë…

Don Lush Gjergji, vëllai i pacientit zero të infektuar me koronavirus në Kosovë, Mëhill Gjergji, thotë se covid 19 nuk njeh kufij apo viza Shengen. Ai bën thirrje për përgjegjshmëri ndaj vetes, të afërmëve, familjarëve, dhe zbatim të përpiktë të udhëzimeve të Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Mehill Gjergji, 77 vjec nga Stublla e Vitisë, është pacienti zero i infektuar nga koronavirusi në Kosovë. Vëllai i tij, Don Lush Gjergji shpjegon për Abc Neës se vëllai i tij me familjen jetojnë prej vitesh në Bergamo dhe kanë shkuar në Kosovë më 5 mars.

“Vëllai im Mihilli, me gruan e tij, Dranen, erdhen në Kosovë me fluturim Verona – Prishtian më 5 mars 2020. Çdo gjë ishte rregull me kontrollime mjekësore, si në Verona, po ashtu edhe në Prishtinë. Si duket, së paku kështu thojnë ekspertët, virusi ishte në fazën e inkubacionit, dhe pasi një javë dite, ishte tejet agresiv dhe aktiv. Vëllai pati kollitje, shtrëngim në gjoks, plogështi. Pas kontrollimeve fillestare, “amatoreske” në Viti dhe në Gjilani, pa fajin e tyre, qe dërguar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Prishtinë, ku gjendet edhe tash, së bashku me të birin Robertin, dhe me shoqen e tij, Suzanën, në terapi. Mjekët thojnë se gjendja e tyre tash për tash është stabile. Don Lushi shpjegon simptomat që kanë pasur familjarët e tij.

“Temperaturë, plogështi, kollitje, shtrëngim në fyt dhe në gjoks, shenja karateristike të këtij virusi, si duket, mjaft agresiv dhe për disa, sidomos për të moshuar dhe njerëz me sëmundje kronike, edhe i rrezikshëm.”

Ai konfirmon gjithashtu se më 8 mars kishte qenë në Stubëll ku ishte mbajtur mesha dhe ku ishte takuar me të vëllain dhe familjen e tij ndërsa më 12 mars, kishte marrë vesh se i vëllai Mëhilli, ishte hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Prishtinë. Vetë Don Lushi ka bërë të premten e kaluar testimin, i cili ka dalë negativ.

“Eh, ta them të vërtetën, të “rrëfehem” botërisht, pritja edhe për mua ishte mjaft e gjatë dhe jo e lehtë, diku 24 orë, edhe pse më kishin thënë që do të bëhej më shpejtë. E kuptoj “vonësën”, nëse kështu mund të them, sepse tashmë “Kosova”, sidoms vendlindja ime, Stublla, por edhe Klina, janë vatra e kësaj sëmundjeje ngjitëse. Ditën e kalova në uratë, aty-këtu shkrim dhe lexim, në pritje të “gjatë”, por gjithsesi me fe dhe shpresë…”

Ai bën thirrje për përgjegjshmëri ndaj vetes, të afërmëve, familjarëve, dhe zbatim të përpiktë të udhëzimeve të Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Don Lush Gjergji thekson se koronavirusi nuk njeh kufinj apo “viza Shengen”. Ai bën thirrje për mirësi, afërsi, bujari, vëllazëri me çdo njeri dhe dashuri, duke vënë në dukje shprehjen e Nënë Terezës, “Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën”.

“Na ruajtë Zoti prej çdo të keqeje dhe rreziku!”

INTERVISTA E PLOTË

Çfarë ka ndodhur ne familjen tuaj? Si u infektuan?

Një pjesë e familjes time, si dhe shumë familje shqiptare nga Kosova, por edhe nga viset e ndryshme shqiptare, janë në punë dhe në jetë në botën e jashtme.

Familjarët e mi janë vite të tëra kryesisht në Bergamo dhe në rrethinë. Atje tashmë janë ambientuar si në jetë, ashtu edhe në punë, edhe pse ëndrrat dhe zemra e tyre është gjithnë në Kosovë.

Ata, si dhe të tjerë, me një anë nuk pajtohen me këtë realitet të ri, por hetojnë dhe konstatojnë që tash për tash zgjidhje tjeër nuk ka.

Gjithnjë më thojnë: na mbyti pagjumësia dhe malli! Tash janë të rrezikuar edhe nga koronavirusi më së tepërmi atje.

Për t’i ikur kësaj vatre tejet të rrezikshme të infektimeve, por edhe për t’u shmallë dhe pushuar në vendlindje, me pranëverë shumë “dallendyshe” kthehen në çerdhet e tyre stërgjysore.

Kështu bëri edhe vëllai im Mihilli, me gruan e tij, Dranen, erdhen në Kosovë me fluturim Verona – Prishtinë më 5 mars 2020.

Çdo gjë ishte rregull me kontrollime mjekësore, si në Verona, po ashtu edhe në Prishtinë.

Si duket, së paku kështu thojnë ekspertët, virusi ishte në fazën e inkubacionit, dhe pasi një javë dite, ishte tejet agresiv dhe aktiv.

Vëllai pati kollitje, shtrëngim në gjoks, plogështi. Pas kontrollimeve fillestare, “amatoreske” në Viti dhe në Gjilan, pa fajin e tyre, qe dërguar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Prishtinë, ku gjendet edhe tani, sëbashku me të birin Robertin, dhe me shoqen e tij, Suzanën, në terapi.

Mjekët thonë se gjendja e tyre tash për tash është stabile. Lusim Zotin jo vetëm për familjarët e mi, por edhe për të gjitha ata që janë të kërcnuar dhe të rrezikuar nga kjo sëmundje ngjitëse, e cila, fatkeqësisht na ka gjetur neve, por edhe mbarë botën, të papregatitur.

Bota po e paguan ndoshta tepër shtrenjtë vetëbesimin e tepruar, nënçmimin e këtij rreziku, mos të them prepotencën dhe arrogancën…

Si jeni ju vete?
Unë të dielën e kaluar, më 8 mars 2020, isha në Stubëll, në vendlindje, dhe si çdo herë u shmalla dhe u kënaqa me takime, Meshë dhe shumë çka tjetër.

Kuptohet, me vëllain Mihillin, si dhe me familjen e tij në Kosovë, patëm edhe darkën, së bashku me famullitarin e vendit, Don Jeton Thaqin.

Të ejtën e kaluar, më 12 mars, kuptova që im vëlla Mihilli, ishte hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Prishtinë.

Fill, për përgjegjësi ndaj vetes, edhe më shumë ndaj bashkëpunëtorëve, por edhe publikut, iu nënshtrova testimit të premten në mbrëmje, 13 mars 2020, diku rreth orës 19. 00.

Cfare shenjash kishin familjaret tuaj?
Temperaturë, plogështi, kollitje, shtrëngim në fyt dhe në gjoks, shenja karateristike të këtij virusi, si duket, mjaft agresiv dhe për disa, sidomos për të moshuar dhe njerëz me sëmundje kronike, edhe i rrezikshëm.

Si ndjeheshit nderkohe qe prisnit rezultatin e analizes?

Eh, ta them të vërtetën, të “rrëfehem” botërisht, pritja edhe për mua ishte mjaft e gjatë dhe jo e lehtë, diku 24 orë, edhe pse më kishin thënë që do të bëhej më shpejtë.

E kuptoj “vonësën”, nëse kështu mund të them, sepse tashmë “Kosova”, sidoms vendlindja ime, Stublla, por edhe Klina, janë vatra e kësaj sëmundjeje ngjitëse. Ditën e kalova në uratë, aty-këtu shkrim dhe lexim, në pritje të “gjatë”, por gjithsesi me fe dhe shpresë…

Cfare keshille do tu jepnit njerezve ne Kosove dhe kudo tjeter?

Së pari të jemi sa më të përgjegjshëm për shëndetin tonë, si dhe të të afërmëve, familjarëve tanë, dhe t’iu përmbahemi përpikërisht udhëzimeve nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndoshta kemi harruar tashmë të jetojmë së bashku në rrethin apo ambientin familjar, duke jetuar dhe punuar me një lloj “vrapimi” dhe frenezie që po na merr “frymën”, shpirtin, vlerat tona tradicionale, përkujesjen për fëmijë dhe për pleq dhe plaka.

Më kujtohen dy thëne tejet të qëlluara, tash edhe shumë aktuale: “Mjerë ajo shtëpi së s’ka pleq dhe fëmijë” dhe “S’ka shëpi pa pleq dhe pa fëmijë”, vlera këto që na kanë mbajtur nëpër shekuj dhe e kanë ruajtur vitalitein tonë.

Është blokuar thuaj gjithçka, shkolla, puna, udhëtimi, prodhimi, një botë e mbështetur vetëm në materializëm, konsumizëm, hedonizëm, relativizëm dhe ateizëm praktik, është në rrezik dhe çrregullim të tërësishëm…

Ky virus, për mendimin dhe vlërsimin tim, e ka “shveshur” shoqërinë tonë bashkëkohore nga ndjenja e “prepotencës” dhe arrogancës, nga bestytënitë që njeriu i sotëm, di dhe mund shumçka, mos të them gjithçka, duke paraqitur brishtësinë e teknikës, teknologjisë, shkencës, mjekësisë, fundi i fundit të vetë njeriut.

Ndoshta, kjo na bënë mirë të gjithëve, dhe është një mësim dhe qortim i rëndë, por edhe i domososhëm. Mësimi është ky: jemi një familje e madhe botërore, të mvarur, së pari prej Zotit, pastaj prej njëri – tjetrit. Virusi nuk njeh kufinj, “viza Shengen”, ndalime, kontrollime…

Sa bukur do të ishte që bota jonë të jetë e tillë, me përgjegjësi, liri, paqe, demokraci, vëllazëri, e mbështetur me vlera dhe virtyte gjithënjerëzore dhe të krishtera.

Lusim Zotin dhe shpresojmë për një botë më të mirë, më njerëzore, jo vetëm ekonomike, koemrciale, ku paraja mbiçmohet, jemi të robëruar nga “zoti – para”, ndërsa Zoti dhe njeriu nënçmohet dhe anashkalohet…

Populli thotë mirë: çdo e keqe sjell ndonjë të mirë!
A duhet te na sherbeje kjo pandemi per te qene me njerezore, tu kthehemi vlerave dhe te duam me shume jeten dhe njeri tjetrin?
Kjo do të ishte edhe porosia më e bukur, mirësi, afërsi, bujari, vëllazëri me çdo njeri, sepse jeta është tepër e shkurtë, dhe ne atë nuk mund ta jetojmë sido, me egoizëm, egocentrizëm, bajraktarizëm, “partitizëm”, me ndarje dhe përçarje të pakuptimta dhe vetëvrasëse dhe vëllavrasëse…

T’i ktehemi vetvetes dhe të Vërtetës, kjo është ftesa ime për çdo shqiptarë apo shqiptare, por edhe më gjerë, sepse “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim”, “Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën” dhe “veprat e dashursië janë vepra të paqes” do të na porosiste Shën Nëna jonë Tereze.

Besojmë, shpresojmë dhe dashurojmë Zotin, njëri-tjetrin, në krijimin e kluturës së jetës dhe qytetërimit të dashurisë.

A duhet te kemi me shume kujdes per te moshuarit? Dhe nje sistem me te mire shendetsor?
Sistemi shëndetësore në nivelin global, evropian dhe botëror, është treguar shumë i dobët, pa ndonjë pregatitje të mirëfillët njerëzore dhe profesionale, pa struktuar adekvuate… E te ne, e dime që është edhe më keq. Na ruajtë Zoti prej çdo të keqeje dhe rreziku!

Të vdekurve nga koronavirusi, ta gëzojnë pushim e pasosur, të sëmurëve shërim sa më të shpejtë dhe të mirë, atyre që janë për ngushëllime, së pari Zoti i ngushëlloftë, pastaj afërsia dhe pjesëmarrja jonë dhe e tjerëve, në këto dhembje dhe pikëllime, u qoftë mbështeje dhe përkrahje!