I riu me Koronavirus shkon të bëjë operacion plastik hundën, infekton ekipin e mjekëve

Një djalë i ri në Itali ka shkuar të bëjë operacion plastik hundën, por fshehu simptomat e Koronavirusit. I riu nuk i kishte treguar mjekëve në spitalin “Parini” në Aosta të Italisë, në mënyrë që operacioni i tij të mos shtyhej.

Ishte mjeku anestezist që vuri re ngritje të temperaturës së pacientit dhe këtij të fundit iu bë testi për Covid-19. I riu rezultoi pozitiv me koronavirus, por tashmë fatkeqësisht kishte infektuar mjekun anestezist, kirurgun dhe një infermiere.

“La Repubblica Torino” bën të ditur se prokuroria e Aostas ka hapur zyrtarisht një dosje për të riun, i cili rrezikon deri në 12 vjet burg.

“Pacienti duhej të kryente një rinosetoplastika, një operacion estetik në hundë, i cili edhe mund të priste nuk ishte rast urgjent për t’u bërë, mund të shtyhej”, tha mjeku kirurg.

Mendohet se i riu mund ta ketë marrë virusin së fundmi kur kishte rënë në kontakt me shumë turistë që kishin ardhur nga Lombardia në zonën turistike të ‘Valle d’Aosta.