Gjuha plot urrejtje e Ramës ndaj propozimeve plot sens të Bashës

Nga Gentian GABA

Të shtatat e shfaqjes së virusit në Shqipëri porsa kaluan. Si gjithë shoqëritë e prekura, edhe ajo shqiptare po përballet me sfidat që kjo situatë paraqet. Ato nuk janë vetëm shëndetësore, por edhe politike, ekonomike, sociale dhe psikologjike. Të gjitha bashkë këto përbëjnë një lëndë të parë të rrezikshme, e cila mund të prodhojë një instabilitet të lartë shoqëror nëse nuk adresohen me vendosmëri.

Duke lënë mënjanë brirët imagjinarë që herë pas herë i janë mveshur populit tonë, shumica dërrmuese e qytetarëve po vepron me një sens të lartë përgjegjshmërie, duke respektuar udhëzimet e autoriteteve dhe ekspertëve. Sigurisht, produkt i një intuite të përbotëshme që kanë shpirtrat përballë një rreziku që u kanoset; pra porsa vdekja, që sipas Pier Helias, ‘ në shoqëritë bashkohore nuk është më e afërt dhe e kudondodhur, por e fshehur dhe e harruar’, u shfaq te dyert e gjithsecilit.

Të tërhequr në shtëpitë e tyre, të frikësuar nga e tashmja, sikurse edhe nga e ardhmja që i pret, qytetarët po pësojnë dallgë të njëpasnjëshme propagande. Kampioni i deritanishëm në këtë det të trazuar, është Edi Rama.
Si përherë i gatshëm të përdorë çdo dekik krize për t’i elektoralizuar ato në favorin e tij dhe, si përherë, i paciptë në fajësimin e të tjerëve për atë që bën vetë, kur anatemon opozitën për qasje politike ndaj krizës.

Ndonëse kjo e fundit, sidomos në figurën e liderit të saj, ka një përsiatje tejet konstruktive dhe propozuese, Rama i përvishet me një fjalor të helmatisur dhe përçmues. Pra ai që predikon bashkim, në cdo qelizë të medias shqiptare, bëhet nevrik dhe agresiv kur për hatër të asaj çka vetë predikon, pala e tij kundërshtare i ofron një degë ulliri plot kokrra urtësie, të përkthyera në këshilla dhe sugjerime, për mbarëvajtjen e kësaj situate.

Kjo çarje midis çfarë thotë dhe çfarë bën nuk është e re për Ramën, sikurse për shumë poltikanë xhanëm; megjithatë gjypat e tij të gjakut janë veçanërishtë të nxehta këto kohë sepse nuk po arrin të tërheqë Bashën në një luftë verbale, sigurisht digjitale, për ta detyruar kundërshtarin të dalë nga rrafshi propozues, me të cilin po i ‘tregon arat’ kryeministrit të kyçur në Surrel, dhe t’i dedikohet luftës të ‘ça ke bërë ti dhe ça kam bërë unë’, kaq të lodhshme për qytetarët shqiptarë që presin zgjidhje.

Një bullizëm (term psikologjik i kohëve të sotme që i shqipëruar do të thotë kërcënim) që në fakt tregon më shumë për ushtruesin e tij sesa për pësuesin. Sikurse ata që kryejnë akte të tilla janë njerëz me personalitet të cunguar për shkak të paaftësive intelektuale, apo kanë deformime psikologjike që përmbushen duke dhunuar të tjerët, kryeministri shkarkon te kundërshtari mllefin me të cilin e mbushin propozimet e njëpasnjëshme dhe plot sens të Bashës.

Anipse i është dashur të birësojë shumë prej ideve që kreu i PD-së ka rrokur në publik, dhe shumë të tjera do t’i duhet t’i bëjë të tijat pasi janë pjesë e një përgjigje racionale ndaj krizës, nuk është kjo garë idesh që e andrall Ramën. Çka e shqetëson realisht është fakti se, në mënyrë të pashmangshme, për të çliruar buxhetin dhe për t’i dhënë jetë shëndetësisë dhe ekonomisë shqiptare, do t’i duhet t’i japë të drejtë opozitës për një nga çështjet më të nxehta, me të cilat ka asfiksuar buxhetin në këto vite, atë të koncesioneve.

I pari që ra ishte ai i Check-up-it, që vetëm në 2019 kishte marrë 6.5 milionë euro nga taksat e shqiptarëve për shërbime që nuk ishin kryer (Imagjinata e të ngujuarve në karantinë me siguri di si mund të shpenzohej sot kjo shumë). Kjo tërheqje, dhe ato që sigurisht do të vijojnë, nuk është gjë tjetër veçse pranimi i faktit se, në shtatë vite, Rama ka hedhur mbi shpatullat e vobekta të taksapaguesve shqiptarë një peshë të rëndë, të panevojshme dhe së paku të dyshimtë.

Me krizën që po troket, dhe me asnjë mik përtej Adriatikut të gatshëm të lehtësojë vështirësitë që e presin vendin, opozita, me këmbënguljen e saj, e detyroi kryeministrin që midis klientëve të tij dhe shëndetit të qytetarëve, të zgjidhte këta të fundit.

Këtë kushtëzim Rama e quajti maskarallëk; por, me ato miliona që do të jenë në arkën e shtetit, duket si një punë e paqme!