Fjalimi i mrekullueshëm dhe prekës i Merkel, pastaj krahasojeni me primitivin e Surrelit

Angela MERKEL

Po ju drejtohem sot në këtë mënyrë të pazakontë, sepse dua t’ju flas si Kancelare në emër edhe të gjithë kolegëve të mi në Qeverinë Federale. Kjo është pjesë e demokracisë së hapur, që do të thotë se ne marrim vendime politike transparente dhe i shpjegojmë ato. Se ne justifikojmë dhe komunikojmë veprimet tona, që të bëhen të kuptueshme e të zbatueshme.

Dua t’ju shpjegoj se ku jemi me epideminë aktuale, çfarë po bën qeveria federale dhe nivelet e shtetit për të mbrojtur të gjithë komunitetin tonë dhe për të kufizuar dëmet ekonomike, sociale dhe kulturore. Por, gjithashtu dua t’ju shpjegoj pse kemi nevojë për këto masa dhe si mund të kontribuojë secili nga ju.

Synimi kryesor është ngadalësimi i përhapjes së virusit në rrugën e tij përmes Gjermanisë. Dhe këtu duhet të mbështetemi në një veprim, është ekzistencial: të mbyllim jetën publike sa më shumë që të jetë e mundur. Sigurisht, me arsye dhe gjykim, sepse shteti do të vazhdojë të funksionojë, patjetër, që furnizimi do të vijojë të sigurohet dhe ne duam të ruajmë sa më shumë veprimtari ekonomike. Por ne do duhet të zvogëlojmë gjithçka që mund të rrezikojë njerëzit, gjithçka që mund të dëmtojë individin, por edhe komunitetin.

Unë e di se sa dramatike janë kufizimet: nuk ka më evente, nuk ka panaire tregtare, nuk ka koncerte dhe për momentin asnjë shkollë, asnjë universitet, asnjë kopsht fëmijësh, asnjë lojë në shesh lojrash nuk funksionon.

Këto kufizime nuk kanë ekzistuar kurrë në Republikën Federale. Më lejoni t’ju siguroj: për dikë si unë, për të cilin liria e lëvizjes është një e drejtë e fituar një herë e përgjithmonë, kufizime të tilla mund të justifikohen vetëm me domosdoshmërinë absolute.

Tashmë është shumë e vështirë për biznesin, kompanitë e mëdha dhe bizneset e vogla, për dyqanet, restorantet dhe punonjësit e lirë. Javët e ardhshme do të jenë edhe më të vështira.

Unë ju siguroj se Qeveria Federale po bën gjithçka mundet për të qetësuar ndikimin ekonomik – dhe mbi të gjitha për të mbrojtur punësimin. Ne mund dhe do të përdorim gjithçka që duhet për të ndihmuar sipërmarrësit dhe punëtorët tanë përmes këtij testi të vështirë.

Dhe të gjithë i garantoj se furnizimi me ushqim është i sigurt në çdo kohë. Edhe nëse raftet pastrohen për një ditë, ato do të rimbushen. Do të doja t’u thoja të gjithëve që janë jashtë në radha në supermarkete: nuk ka kuptim të blini për të patur stoqe. Por me moderim. Sjelljet sikur nuk do të gjendet më kurrë asgjë nëpër dyqane janë të pakuptimta dhe plotësisht të pasakta.

Ne jemi demokraci. Ne nuk jetojmë nga shtrëngimi e kufizimi, por nga njohja dhe pjesëmarrja e përbashkët. Kjo është një detyrë historike dhe mund të realizohet vetëm së bashku. Jam absolutisht e sigurt se do ta kapërcejmë këtë krizë.”