E turpshme, Vodafone bëhet instrument i sulmeve të Ramës kundër medias

Kompania Vodofane ka detyruar, sot pasdite, abonentët e saj të dëgjojnë një mesazh audio të Kryeministrit Rama, me “këshilla” për t’u mbrojtur nga koronavirusi, para telefonatave thirrëse apo marrëse të tyre.

Zëri i Kryeministrit, i cili shfaqet krejt befas, ndërsa pret të dëgjosh zërin e dikujt tjetër, ngjan me skenat e Big Brother të përshkruar nga George Orwell në librin ‘1984’, satirë për regjimet totalitare.

Çdo abonenti Vodafone që thërret çfarëdo numri tjetër në çdo operator, Vodafone i vë herë pas here të dëgjojë një mesazh audio të Ramës para se ta lidhe me numrin e thirrur. Gjithashtu, personat, nga çdo operator, që telefonojnë një numër Vodafone, Vodafone i detyron herë pas here të dëgjojë mesazhin e Ramës para se t’i lidhë ata me abonentin e saj.

Mesazhet shfaqen në mënyrë të rastësishme, një herë në disa telefonata.

Mesazhi audio i Ramës ka patur ndër të tjera një sulm ndaj mediave: “ruajuni mediave” është një nga këshillat që jep Edi Rama në mesazh si masë të luftës kundër koronavirusit.

Është një sulm i ulët i Kryeministrit ndaj lirisë së shprehjes dhe medias, në vazhdën e shumë sulmeve të tjera.

Por është një shkelje flagrante e etikës, standardeve profesionale dhe ndoshta edhe ligjit të privatësisë nga ana e kompanisë Vodafone, e cila është bërë bashkëpunëtore me Ramën në sulmin ndaj lirisë së mediave.

Ligji i Ruajtjes së Privasisë lejon përdorimin e numrave për qëllime të mjeksisë parandaluese, por kërkon që ky përdorim duhet bërë nga persona të autorizuar të sistemit të mjeksisë dhe institucione publike të certifikuara për ruajtjen e të dhënave.

Në këtë rast, mund të supozohet se përdorimin e ka bërë vetë Vodafone, pra që ajo nuk ia ka dhënë numrat stafit të Kryeministrit, por ka përdorur kapacitetet teknike dhe rrejtin e saj per transmetimin direkt prej saj të mesazhit audio të Kryeministrit tek abonentët. Ështe e paqartë se me çfarë procedure dhe praktike ligjore e ka marrë këtë vendim Vodofanoe.

Ne telefonuam disa herë në dy numra kontakti të publikuar në faqen në rrjet të Vodafone, por askush nuk u përgjigj dhe asnjë nga numrat nuk jepte mudnësinë e lënies së një mesazhi. Duket se kompania që e konsideron veten prijës të telefonisë në Shqipëri nuk ka vetë një njeri që t’i përgjigjet telefonit.

Sido që të jetë, veprimet e Vodafonit duhet të hetohen menjëherë nga entet rregullatore.

“Exit.al”