Dy kërkimfalje, mesazhi i Albin Kurtit drejtuar qytetarëve të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka kërkuar falje qytetarëve të tij. Përmes një postimi në ‘Facebook’ Kurti thekson se duke nisur nga sot nuk do të mund të realizohet qëndrimi i tij për heqjen e taksës 100 për qind në lëndën e parë që importohet nga Serbia.

Kurti tha se qëndrimi i tij për taksën, i shprehur më 26 shkurt 2020 nuk u bë vendim, pasi ende nuk ka arritur ta bind partnerin e koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë është i bindur “zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme”.

Po ashtu Kurtit kërkoi falje edhe për seancën e tejzgjatur të Kuvendit, e cila nisi pasdite e përfundoi pas mesnate, e që sipas tij, “nuk respektoi urdhëresat për distancë fizike mbi një metër midis njerëzve në kohën e pandemisë së virusit korona”.

Mesazhi i plotë i Kurtit

Dy kërkimfalje

Të nderuar qytetarë,
Sot, me datë 15 mars 2020, është dashur që të hiqet tarifa 100% në lëndën e parë që importohet nga Serbia. Kjo nuk do të ndodhë sepse qëndrimi im i shprehur më 26 shkurt 2020 ndërkohë nuk u bë vendim. Më vjen keq për këtë. Ende nuk kam arritur ta bind partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme.

Seanca e djeshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës që nisi pasdite e përfundoi pas mesnate, nuk respektoi urdhëresat për distancë fizike mbi një metër midis njerëzve në kohën e pandemisë së virusit Corona. Me zëvendës-kryeministrat e mi tërë kohën isha më afër se aq, e nganjëherë edhe përgjatë bisedave të ndryshme teksa diskutonim mbi buxhetin 2020 të cilin e aprovuam mbrëmë. Më vjen keq për këtë dhe ju kërkoj falje.

Përzemërsisht,
Albin Kurti