Dy ilaçet që po japin sukses në kurimin e të prekurve nga virusi

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bashkë me ministrin e Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, kanë njoftuar opinionin në lidhje me masat e fundit të ndërmarra për menaxhimin e situatës me koronavirus.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se nuk është shënuar asnjë rast i ri me Covid 19 në Kosovë.

Ai në një konferencë për media deklaroi se kanë marrë edhe 1000 teste të tjera që do t’ju shërbejnë për të kryer analizën për koronavirus.

“Deri më tani, në IKSHPK, janë testuar mbi 320 mostra të dyshuara me COVID-19, dhe 20 prej tyre janë konfirmuar. Në stokun e mikrobiologjisë molekulare janë edhe rreth 1,000 teste dhe pardje janë porositur edhe 7,000 tjera që vijnë në fillim të javës që vjen. Por ndërkohë është përgatitur kërkesa për porositjen edhe të testeve shtesë. Kemi siguruar edhe një aparat tjetër për realizimin e testeve në kohë reale, që vjen nesër. Informatat nga QKUK-ja janë se gjendja e të prekurve që po trajtohen aty, që janë 13, është stabile, me përjashtim të pacientit më të moshuar që po trajtohet herë pas here me oksigjen. Dje dhe sot kemi marrë informatat e para se Remdesivir dhe Piravir janë treguar të suksesshëm në trajtimin e të infektuarve. Sot janë kontaktuar kompanitë prodhuese dhe ambasadat, dhe po shpresojmë që një kontingjent të këtyre barnave ta pranojmë sa më shpejtë”, tha Vitia.

Vitia po ashtu deklaroi se të prekurit me koronavirus janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar 16 mostra të dyshimta për virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha janë negative.

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Pubilke, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se edhe sot nga 16 mostrat e marra për analiza të gjitha kanë rezultuar negative.

“Sot me 19.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 16 mostra të dyshimta për virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha janë negative”, thuhet në njoftim.

Nga data 08.02.2020 deri me 19.03.2020, në këtë laborator bëhet e ditur se janë testuar gjithsej 335 mostra të dyshimta në virusin në fjalë dhe prej tyre, gjithsej njëzetë raste kanë rezultuar pozitive.

Në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 2.597 thirrje, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit janë ishin 553 thirrje telefonike.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njofton se po i përcjellë me vigjilencë të shtuar situatën epidemiologjike me COVID-19, po monitoron të gjitha rastet e kontakteve dhe atyre të cilëve u është rekomanduar për vetëizolim shtëpiak.

Mbi 800 shtetas që dëshirojnë të kthehen në Kosovë

Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka treguar se janë mbi 800 shtetas që dëshirojnë të kthehen në Kosovë, e atyre shteti do t’ua mundësojë transportin për t’u kthyer dhe do t’i dërgojë në Qendren Studentore, ku do të qëndrojnë 14 ditë.

Abdixhiku thotë se janë regjistruar shtetasit që duan të kthehen. Megjithatë, ai bën apel që qytetarët që kanë ku të qëndrojnë, të mos kthehen, pasi ambasadat e Kosovës në vend të ndryshme do t’u japin vërtetime, edhe nëse u skadojnë vizat apo afati i qendrimit.

“Të mos marrin rrugën e kthimit ata që nuk e kanë urgjnte. Bëjmë thirrje që vetëm udhëtarët me urgjencë të marrin rrugën e kthimit në Kosovë. Secli që ka urgjencë kthimi do të ndihmohen”, ka thënë ministri.

“Ambasadat janë urdhëruar të bëjnë regjistrimit e të gjithë shtetasve kosovarë që janë jashtë vendit. 834 qytetarë janë jashtë Kosovës që duan të kthehen”, ka thënë Abdixhiku.

Sic tregon ministri, kushdo që kthehet në Kosovë, do të qëndrojë në Qendren Studentore, që është kthyer në karantinë.

“Secili i kthyer do të vendoset në këtë Qendren Studentore që është kthyer në karantinë. Si ministri kemi detyrë që të sigurojmë transportin e tyre deri në Kosovë dhe transportin prej aeroportit deri në karantinë. Transporti do të bëhet me vetura e FSK’së”, ka treguar Abdixhiku.

Ai thotë se nesër do të kthehen mbi 100 qytetarë nga Gjermania, ndërsa tashmë janë kthyer 39 veta nga Turqia dhe ekipi kombëtar i boksit.