Dëshmia rrëqethëse e mjekes italiane: Po luftoj me vdekjen, sot mora pak frymë e lehtësuar…

Një mjeke veterinere në Itali ka përcjellë përmes rrjeteve sociale dëshminë e saj tronditëse mbi realitetin e atyre që preken nga koronavirusi. Daniela De Rosa, 43 vjeç tregoi përmes një videoje të realizuar në dhomën e spitalit ku ndodhet e shtruar në izolim nën mbikqyrjen e mjekëve, të gjithë eksperiencën e saj që nga dita e infektimit.

Një rrëfim i fortë, dhe me shumë impakt mes ndjekësve. De Rosa kërkon t`i lëshojë në këtë mënyrë një apel të gjithë personave që nuk e dinë ende mirë se çfarë niveli agresiviteti ka vërtet COVID -19.

“Jam mbyllur në izolim prej kaq shumë ditësh sa nuk i numëroj më; nuk hap dot dritaren, nuk kam kontakte me asnjeri përveç atij me mjekët që vijnë për të më kontrolluar parametrat, dhe kur më sjellin ushqimin, i cili lihet pas derës. Koronavirusi më shkaktoi një pneumoni shumë të fortë në të dy krahët, që më shkaktoi një insuficiencë të rëndë respiratore. Unë jam një grua 43 vjeçare që përpara këtij episodi, gëzonte shëndet të plotë, dhe papritur e gjeta veten të lidhur pas këtij respiratori dhe duke luftuar me vdekjen dhe me Covid 19.

Kjo ndodhi pas vdekjes së tim eti, eksperienca më e keqe e jetës sime. Kam luftuar që të mund të kthehem tek familja ime, tek vajzat e mia, dhe sot pas tamponit të parë negativ, mora më në fund pak frymë e lehtësuar”, dëgjohet të thotë ajo në video, duke shtuar se nuk ka fjalë për të përshkruar se çfarë kaloi këtë ditë trupi, mendja dhe shpirti i saj.

“Nëse nuk prekesh nga një fatkeqësi e tillë, dhe të katapultohesh kaq pranë vdekjes, nuk do ta kuptosh dot kurrë dhimbjen dhe dëshpërimin që provohet”, thotë mjekja.