Dëshmia e mjekut në vetëkarantinë: Vizitova tre pacientë pa masa mbrojtëse

Vizitoi pa mjete mbrojtëse 3 të dyshuar me koronavirus, vetëkarantinohet mjeku i Urgjencës, Ilir Allkja. Thirrja për qeverinë: Veshjet vlejnë shumë më pak sesa jeta jonë. Dëshmia e plotë Përshëndetje! Unë quhem Ilir Allkja, jam mjek në Urgjencën paraspitalore të QSUT-së.

Unë me kolegët e mi jemi në vijën e parë të luftës ndaj epidemisë COVID-19 që ka shpërthyer në Shqipëri dhe po shërbejmë me vetëmohim për të shpëtuar jetët njerëzore. Unë sot personalisht jam i vetëkarantinuar derisa të konfirmohet gjendja ime shëndetësore, pasi mbrëmë kam vizituar tre pacientë të dyshuar me COVID 19, pa veshjen speciale.

Me dëshpërim kam konstatuar se njësia e Koordinimit të Urgjencave Mjekësore po na dërgon raste të cilat na i paraqesin si neurologjike apo gastronetorologjike, ndërkohë që ankesa kryesore e pacientëve ka qenë temperatura dhe vështirësia në frymëmarrje, raste që janë të dyshuara me COVID 19. Ne kemi shkuar në këto raste të mbrojtur nga një maskë e thjeshtë kirurgjike, ndërkohë që duhej me doemos të shkonim me veshje të posaçme.

Unë kam një thirrje për kolegët e Koordinimit të Urgjencave Mjekësore si dhe për drejtorin e saj z.Skëndër Brataj: Jini më të kujdesshëm në pyetjen e personave që kërkojnë ndihmë nga numri 127. Kërkoni nëse ata (personat) kanë temperaturë, nëse kanë simptoma respiratorë, nëse kanë lidhje me njerëz të infektuar apo persona që kanë udhëtuar.

Ne duhet të punojmë të gjithë me mençuri që sistemi shëndetësor të mos bjerë në kolaps nga pakujdesia apo papërgjegjshmëria. Ne po punojmë që të kursehet jeta e çdo shqiptari. Ju duhet të kurseni jetën e çdo mjeku apo infermieri. Ju na nisni me veshje speciale për çdo rast të dyshuar! Veshjet vlejnë shumë më pak sesa jeta jonë!