Covid-19/ OKB: Shqipëria, ndër vendet e para në botë për ndotjet që shkaktojnë sëmundje respiratore

Shpërthimi i Covid-19 dhe evolucioni në një pandemi globale, që tashmë ka prekur më shumë se 130 shtetet të ndryshme të botës, ka rikthyer më në fund vëmendjen te çështjet që i takojnë shëndetit, paçka se prej vitesh organizma të ndryshme si OBSH apo Organizata e Kombeve të Bashkuara kanë ngritur sirenat e alarmit.

Kjo e fundit, sapo ka publikuar raportin e progresit drejt objektivave të qëndrueshëm për rajonin e Europës dhe Azisë qendrore, raporton scan. Një indikator i raportit më të fundit të OKB i referohet ndotjes, dhe sidomos asaj të brendshme, që gjenerojnë familjet, e që është shkaktare e shumë sëmundjeve, sidomos infeksionet respiratore apo sëmundjet e zemrës. Shqipëria ka ndër normat më të larta në Europë të vdekjeve të shkaktuara nga kjo ndotje, madje edhe mbi nivelin e vendeve si ish republikat sovjetike të Azisë qendrore apo disa vende të Ballkanit, ku kushtet e motit favorizojnë ngrohjen me dru apo qymyr.

Ndotja e ajrit nga familjarët shkaktohet kryesisht nga burimet joalternative të ngrohjes apo gatimit. Sipas OBSH kjo lloj ndotje është shkaktare për 7.7% të vdekjeve në nivel global. Sa i përket emetimit të dioksiditit të karbonit, apo grimcave Pm2.5, Shqipëria është në pozita bindshëm më të favorshme se vendet e tjera.

Kjo lloj ndotje është kryesisht rrjedhojë e industrisë. Një tjetër indikator tregon se, mbipesha te fëmijët shqiptarë është mjaft e lartë, në rreth 16%, thuajse 10 herë më e lartë se norma e fëmijëve nënpeshë, që fiksohet në rreth 1.5%.

Ndër vendet e kontinentit kjo është një prej diferencave më të mëdha, ndërkohë që edhe norma e fëmijëve mbipeshë është e treta më e lartë. Sa i përket mbipeshës te fëmijët, por edhe te të rriturit në vendin tonë, këmbanat e alarmit kanë rënë shpeshherë.

Sipas organizmave ndërkombëtarë, mbipesha është një problem i cili nuk duhet nënvlerësuar, pasi është një faktor i lartë risku për sëmundje të tjera.

11 2